• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Kusari: Depolitizimi i RTK-së, ka qenë më shumë ‘aksident politik’ !

04/19/2024 21:40
nga:Y I

E ftuar në Blic Interview me Astrit Gashin është juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari.

Kusari foli në lidhje me qeverinë Kurti dhe sa kjo e fundit ka ndihmuar në lirinë dhe trasparencën e medias.

Ajo tha se në fillim qeveria Kurti i pati disa veprime pozitive si depolitizimi i RTK-së, depolitizimi i përbërjes së Komisionit të pavarur për media si dhe u ndryshua Ligji për ndihmë juridike.

“Qeveritë i kanë ato që ne ligjërisht i quajmë obligimet pozitive dhe negative. Obligime pozitive janë masat që i ndërmerr një qeveri me qëllim që me kriju një ambient ku liria e medias lehtësisht shfrytëzohet nga ana e qytetarëve dhe i kemi obligimet negative ku shteti nuk duhet me marr asnjë veprim që në njëfarë mënyrë krijon pengesa për mediat.Tani çfarë ka ndodh me qeverinë Kurti dhe Guxo bashkë prej që kanë ardhë në pushtet kryeministri dhe presidentja. Në fillim i patëm disa veprime shumë pozitive gjë që mua personalisht më kanë inkuraju. Psh filloi depolitizimi i Radio Televizionit të Kosovës, filloi depolitizimi i përbërjes së Komisionit të Pavarur për media, edhe kjo ishte diçka me u mirëprit për shkak se nuk ka ndodhur asnjëherë më herët. Ligji për ndihmë juridike u ndryshu dhe u shtu një nen aty që tash ia lejon secilit gazetar që ka probleme ligjore me shku me marr avokat pa pagesë dhe kjo është një lloj fuqizimi i gazetarëve që me i realizu të drejtat e tyre. Kur filloi qeverisja i patën këto veprime pozitive. Tani unë nuk jam shumë e sigurtë a kanë qenë këto veprime pozitive që janë planifiku nga ana e njerzve që janë të thirrur me i ba këto politika apo ka qenë ma shumë si veprime aksidentale” deklaroi Kusari për Blic Interview.

Kusari tha se me atë çfarë po shikon tani depolitizimi i RTK-së më shumë ka qenë ‘aksident politik’

“Premtime kanë qenë por pastaj në realizimin e tyre nuk jam shumë e bindur që dikush ose në parti ose në qeveri janë bërë bashkë dhe kanë thënë “ne i kemi premtu këto edhe po e realizojmë”. Tani çfarë po shoh që po ndodh, depolitizimi në RTK më shumë ka qenë si aksident politik. Po e quaj ‘aksident politik’ sepse mënyra se si zgjedhet bordi, përbëhet nga një Komision shumë i madh ad-hoc në parlament, i cili përbëhet jo vetëm prej deputetëve të pozitës por edhe të opozitës. Në atë kohë, Armend Zemaj, ka qenë kryetar i Komisionit dhe ka luajtur një rol thelbësor, dhe i njëjti është siguri që prej atyre 120 kandidatëve sa kanë qenë me u marr më të mirët. Unë kam qenë personalisht 5 ditë në monitorim, i kam pa intervistat edhe e di që janë zgjedh njerëz që me të vërtetë e kanë meritu. Unë mendoj se ka qenë ‘aksident politik’ sepse Vetëvendosja, atëherë deputetët nuk e kanë ditur shumë mirë qysh me u siguru që njerëzit e vet me i shty përpara, ka qenë teknikat duke i mësu dhe tani i kanë mësu. Në anën tjetër opozita ka dit se si me i shty, nëse jo kandidatët e vet, disa kandidatë që e kanë meritu, të paktën në sytë e shoqërisë civile, dhe në fund ne kemi përfundu me një proces transparent, njerëz të zgjedhur në bazë të meritokracisë…. por kjo tani ka ndryshu ndërkohë. Pozita nuk ka dit qysh me ba kapjen, nëse kanë dasht me ba kapjen e institucioneve, po i përdori fjalët e Vetëvendosjes, ‘nuk e kanë dit bash mirë qysh me ia lidh kryet, tani kanë mësu’. Njëjtë ka ndodhur për Komisionin e pavarur për media, na i kemi tani shumica e përbërjes, ende janë njerëz që unë i konsideroj me ekspertizë dhe të pavarur. Mirëpo pastaj kur filluan me i zgjedh anëtarët e tjerë, qartësisht këta ‘u mushën sherr’ dhe ndryshoi edhe trendi që është pastaj shumë dëmtuese për vendin tonë” deklaroi Kusari në Blic Interview raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/