• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Kusari thotë se disa media kanë dështuar: E vështirë t’i mbrojmë disa gazetarë me veprimet që i bëjnë

04/20/2024 21:23
nga:G C

Juristja e të drejtës për media, Flutura Kusari ka kritikuar edhe gazetarët ku sipas saj, disa veprime të tyre janë vështirë të mbrohen nga aktivistët.

Kusari në Blic Interview me Astrit Gashin thotë se, edhe mediat duhet t’i japin llogari shtetit, ashtu siç kërkojnë llogari nga këta të fundit.

Madje, sipas Kusarit shumica e teksteve dalin pa emër të gazetarit, pasi siç thotë ajo, iu vie turp edhe atyre nga vetja, se çfarë kanë shkruar.

“Nganjëherë jo, por shumë shpesh gazetarët me veprimet e tyre na bëjnë shumë të vështirë, që neve si aktivista, të dalim e t’i mbrojmë publikisht. Së pari, shumica e qasjes së mediave nuk i japin llogari qeverisë, teksa kërkojnë llogari nga ajo, madje as publikut. Është shumë e vështirë sot që në disa media të dihet kush është pronari, kush janë aksionarët, redaktorët. Një numër i madh i shkrimeve, dalin pa emër të gazetarëve sepse edhe atyre ju vjen marre se çka janë duke shkruar”, tha Kusari.

Sipas Kusarit, shumica e mediave kanë dështuar, siç ka dështuar Qeveria, pasi sipas saj, nuk janë duke e marrë asnjë masë që të investojnë nga përfitimet e tyre.

“Në një pjesë të madhe, mediat kanë dështuar të jenë model i transparencës. Kur i kërkon kryeministrit e presidentes faturat e shpenzimeve, ato duhet t’i publikosh edhe vetë. Drejtuesit e debateve përfitojnë prej “Facebook”, ndërkohë bëjnë zero investim. Ashtu si është duke dështuar Qeveria, edhe mediat nuk janë duke marrë asnjë masë që ta përmisojnë veten”, tha Kusari.

Kusari e sheh si problematike edhe mënyrën se si gazetarët hezitojnë të japin kritikë.

“Sot ka gazetar/e që matën dhjetë herë si ta bëjnë një kritikë, por mos t’i prishin punët me VV’në, kjo është tepër problematike sepse ne duhet të kemi të drejtë ta bëjmë kritikën”, tha Kusari në Blic Interview.