• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Kadrijaj: Kurti duhet të jap dorëheqje, po bën veprime populiste për ushqimin e egos së tij!

04/28/2024 21:56
nga:G C

Një deputete opozitare po kërkon dorëheqjen e Albin Kurtit.

Deputetja e AAK-së, Timë Kadrijaj për “Expose” ka theksuar se rruga më e mirë për të shkuar në zgjedhje është dorëheqja e Kurtit.

Ajo ka listuar një numër arsyesh pse Kurti duhet të largohet nga posti i shefit të qeverisë.

“Me të gjitha këto skandale të njëpasnjëshme që ka bërë kjo Qeveri, sanksionet, raportet e brishta me aleatët, është dashtë të dorëhiqet kryeministri Kurti. Albin Kurti ka ardhë me mashtrime në Qeveri, po dëshiron të mbrohet përmes mashtrimeve dhe do të shkojë deri në fund me këto mashtrime”, tha Kadrijaj.

Kadrijaj shton se, kryeministri Kurti po bën veprime populiste, po ushqen egon e tij dhe sipas saj, po sillet si lider i një partie politike, jo si lidership i shtetit.

“Tash në vend se të sillet si një lidership i shtetit, ai po sillet si një lideri i një partie politike dhe po bën veprime populiste për ushqimin e egos, duke aluduar se po e shtrin sovranitetin në pjesën veriore, gjë që nuk ekziston sepse kurrë më pak sovranitet nuk ka pasë në pjesën veriore sesa tani”, tha Kadrijaj.

Tutje deputetja e AAK-së, ka theksuar se teksa Kurti akuzon Serbinë se po përzihet në zgjedhjet e Kosovës, të njëjtën po e bën vetë ai, një Luginë të Preshevës e Maqedoni të Veriut.

“Absurde është edhe përzirja e tij në zgjedhjet e Luginës së Preshevës, ku i ka ndarë kandidatët, po të ishin të bashkuar, do të mund t’i kishim dy deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë. Ndërsa, ndërhyrja direkte në Maqedoninë e Veriut është përqarje. Kjo është e padrejtë, pasi Serbinë po e kritikojmë që po përzihet në zgjedhjet në Kosovës, ndërsa tash, të njëjtën gjë po e bën Albin Kurti”, tha Kadrijaj për GazetaBlic.

Sipas Kadrijajt, sondazhet e fundit ku prin VV’ja, nuk janë të besueshme, pasi sipas saj, kjo Qeveri ka rënie.

“Nuk i besoj sondazheve të fundit, sepse kjo Qeveri ka rënie. Për tri vjet e disa muaj të VV’së në pushtet, ne nuk e kemi asnjë rezultat, përkundrazi është munduar në forma të ndryshme t’i sabotojë komunat të cilat nuk udhëheqen prej VV’së”, tha Kadrijaj.

“P.sh rruga Klinë-Dollc ka ngelur për vite të tëra, do të thotë nuk kemi asnjë projekt investiv. Këta ende nuk e kanë kuptuar që janë në pozitë, që mbajnë përgjegjësi udhëheqëse dhe e kanë barrën e shtetit të Kosovës mbi supe. Është një qeveri jotransparente, jollogaridhënëse dhe me gjitha këto veprime, duke e pasë shumicën parlamentare në Kuvend, nuk janë në gjendje të mobilizohen për një projekt të madh që kishte me qenë në dobi të qyetetarëve dhe Republikës së Kosovës”, shton ajo për “Expose”, prodhim i GazetaBlic.