• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Jemi në pikën si para shpalljes së pavarësisë”/ Shala: Me këtë draft Asociacioni ka pushtet ekzekutiv – Kurti është pajtuar mos ta njohë Kosovën si shtet

11/24/2023 21:42
nga:G B

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka komentuar draft statutin e Asociacionit të publikuar nga ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani.

Ai thotë se te draft statuti shohim që do të përcaktohet, me rregullim, me koordinim, rregullimi është pushtet dhe është pushtet ekzekutiv dhe ky karakter i jepet nga draft statuti aktual dhe jo ai i 2013-ës.

“Jo, sepse kemi të bëjmë me një dokument me 45 nene dhe me një preambulë tepër problematike. Marrëveshja e Brukselit i ka 15 nene, Asociacioni është 6 nenet e para. Ajo është një skicë bazike, materie kanë vetëm 2 nene dhe ato janë problematike. Keni parasysh që në aq pak rregullim, thuhet se Asociacioni do të mbikëqyr, te dokumenti i parimeve ai është kthyer në një term tjetër që konstatonte edhe Gjykata Kushtetuese që ishte dykuptimësh, që do të ketë një pamje, do të ketë një pamje të përgjithshme, etj., te draft statuti ne shohim që do të përcaktohet, me rregullim, me koordinim, rregullimi është pushtet dhe është pushtet ekzekutiv. Pastaj, marrëveshja e parimeve e vitit 2013 ka pas skicuar edhe strukturën e Asociacionit, duke përcaktuar që ajo do të jetë si Asociacioni i Komunave që ne kemi, por nuk është thelbi ky. Thelbi është që marrëveshja e vitit 2013 s’ka materie, s’ka substancë të mjaftueshme që të kthehet në një dokument të kësaj natyre. S’ka, si trajton, janë përcaktime përgjithësuese, janë dy nene më specifike që mendoj se janë më problematike. Por, mbikëqyrjes, karakterin e një pushteti ia jep vetëm ky dokument”, vlerëson Shala.

Ai thekson se Kurti e Vuçiq janë marrë vesh për çështje që s’kanë të bëjnë fare me rregullimin kushtetues të Kosovës dhe sipas tij, me këtë Asociacion Kosova është kthyer në kohën para pakos së Ahtisarit.

“Tani problemi është ky, në këtë kuptim ka një lidhje formale ligjore dhe të detyrueshme me marrëveshjen e vitit 2013, por lidhja e vërtetë është me marrëveshjen e Brukselit, sepse me këtë marrëveshja Kosova e Serbia kanë trajtuar çështje kushtetuese dhe këto i dëshmon draft statuti. Pra, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë janë marrë vesh për çështje që s’kanë të bëjnë fare me rregullimin kushtetues të Kosovës. Asociacioni është një gjë, ka bazë të aneksit prej pakot së Ahtisarit, ka bazë kur shohim dhe nenin 60, pikën 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që trajton përfaqësimin në Këshillin e Komuniteteve, por vetëm kaq. Me këtë, unë mendoj që Kosova është kthyer në fazën para propozimit final të pakos së Ahtisarit, pra para draftit final, sepse këto çështje janë biseduar dikur dhe shumë përtej procesit të dialogut të Brukselit”, potencon deputeti i LDK-së.

Sipas tij, Asociacioni e kthen Kosovën në kohën para pavarësisë dhe kjo s’ka të bëjë me rendin kushtetues të vendit por me një mekanizëm autonom që përfaqëson pushtetin e Serbisë në territorin e Kosovës.

“Patjetër sepse kjo nuk ka të bëjë me rendin kushtetues të Kosovës dhe nuk ka të bëjë me dorëzim vullnetar të sovranitetit në një fushë të caktuar, por ka të bëjë me strukturimin e një mekanizmi autonom që nuk ka lidhje me këtë rregullim kushtetues dhe që përfaqëson pushtetin drejtpërdrejt nëpërmjet serbëve të Kosovës, pushtetin e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës”.

Shala shton se territorin që do ta qeverisë Asociacioni është i barabartë me territorin e komunave me shumicë serbe, teksa ai shpreh frikën që marrëveshja e Brukselit ka projektuar një lloj federalizimi pa terma të Republikës së Kosovës.

“Është një territor i përcaktuar me saktësi sipas draft statutit. Pra, territorin që do ta qeverisë Asociacioni është i barabartë me territorin e komunave me shumicë serbe. Pra është e përcaktuar…Komunave me shumicë serbe. Dhe keni parasysh kur thotë duhet të ketë së paku tre komuna me shumicë serbe për të themeluar Asociacionin, mund të jenë që të gjitha me shumicë serbe, por themeluese nuk mund të jenë komunat e tjera, pra që s’kanë përfaqësim apo shumicë serbe që lidhet me demografinë apo territorin, kjo ndryshe quhet autonomi politike territoriale. Pra kemi të bëjmë me atributet e një autonomie të pastër, unë kam studiuar modelet evropiane aq sa kam pasur mundësi, kjo mendoj se do të jetë autonomia më e gjerë e parë ndonjëherë në Evropë por kur kthehemi dhe lexojmë me saktësi marrëveshjen e Brukselit, sidomos nenin 6, i cili thotë se pas kësaj do të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, deri te një pikë të cilën ne do të arrinim një marrëveshje përfundimtare, i bie që ne do të negociojmë edhe 1 vit 2, edhe një dekadë, për çështje të tjera dhe i bie që e drejta e fituar nuk i merret askujt por zgjerohet dhe unë kam frikën që marrëveshja e Brukselit ka projektuar një lloj federalizimi pa terma të Republikës së Kosovës”, deklaron Kujtim Shala.

Ai shpjegon se ku janë gjurmët e federalizimit në marrëveshjen e Brukselit.

“Gjurmët e federalizimit janë në gjurmët e marrëveshjes së Brukselit, janë dhe te ky, te karakteri vetë themelues, te mundësia që të referojë çështje në Gjykatën Kushtetuese, te komisioni apo Gjykata e Arbitrazhit që kurdo Asociacioni shmanget, por kryesore është struktura dhe fuqia që kadhe mënyra se si do të implementohet që s’kanë asnjë lidhje me rregullimin kushtetues”.

Shala i LDK-së komenton dhe deklaratat e Kryeministrit Kurti se draft statuti në përputhje me kushtetutën, derisa thotë se mund të jenë bindje të vërteta apo qëndrime politike, për të mbrojtur autorësinë e draftit, që është e SHBA-ve dhe BE-së.

“Këto mund të jenë bindje të vërteta apo qëndrime politike, bëhen edhe për të mbrojtur autorësinë e draftit. Autorësia është amerikano-evropiane, e kanë emisarët që e sollën, nuk është i rëndësishëm personi me emër dhe mbiemër, prapa atij dokumenti janë në radhë të parë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Ka m bindjen se janë SHBA-të së pari, pasi po e mbrojnë si autorësi, edhe emisari Escobar, edhe ambasadori Hovenier, edhe Administrata amerikane. Është lexim i imi por në këtë s’kam asnjë dilemë që është një strukturë politike territoriale autonome që nuk ka të bëjë me pushtet të tretë, por ka të bëjë me një pushtet të ri dhe që nuk është i Republikës së Kosovës, pra ky është problemi”, potencon ai.

Sipas Shalës, në marrëveshjen e Brukselit palë janë marrë vesh për çështjet në vijim, pa e paragjykuar statusin e Kosovës, që i bie se Kurti është pajtuar mos ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe i bëhet vend Rezolutës 1244.

“Ajo ka një bazë. Procesi i dialogut, sepse ai ka nisur në bazë të një baze tjetër, baza është marrëveshja e Brukselit sepse në preambulën e marrëveshjes së Brukselit, thuhet që palët janë marrë vesh për çështjet në vijim, pa e paragjykuar statusin e Kosovës. Kjo i bie që përfaqësuesja e Kosovës, në këtë rast kryeministri i Kosovës pajtohet të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe natyrisht që kështu i bëhet vend Rezolutës 1244, e cila Kosovën e njeh si një territor të administrueshëm njëherë, pastaj historia e tregon dhe që është administruar nga një administratë e Kombeve të Bashkuara, nga një pushtet ndërkombëtar i përkohshëm. Pra, kjo e argumenton atë që thamë se ne jemi në një pikë, në atë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe këto marrëveshje dhe këto dokumente shpërfillin gjithë këtë proces nëpërmjet të cilit ne kemi ardhur deri te shpallja e pavarësisë dhe të gjitha rezultatet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, jo vetëm procesin e dialogut sepse vë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit tonë”, deklaron Kujtim Shala./Gazeta Blic/