Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë se Qeveria e Kosovës i ka marrë masat ndëshkuese të BE-së, si një lojë fëmijësh.
Arifi në një intervistë dhënë për “Expose”, prodhim i GazetaBlic, theksoi se kjo Qeveri me këtë qasje ka bërë që Kosova të shihet ndryshe nga Bashkimi Evropian.
“Këto masa, nuk e kanë ndëshkuar vetëm Qeverinë e Kosovës, por edhe shtetin e Kosovës që rrjedhimisht i bie edhe qytetarin e Kosovës. Unë mendoj se gabimi i Qeverisë është se i kanë marrë këto masa si njëfarë loje fëmijësh, kjo është një politikë shumë e gabueshme dhe kjo po vërehet që e kanë ndërtuar një fotografi të ndryshme për Kosovën përballë vendeve të Bashkimit Evropian”, tha Arifi.
“Ne e kuptojmë që masat kanë qenë të padrejta në drejtim me fotografinë në teren, sepse nëse Kosovës do të duhej t’i vendosnin masa, atëherë Serbia do të duhej të ndëshkohej edhe me 100 masa të tjera. Kjo ka qenë jo balanca e BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë, por ato u vendosën dhe ne do të duhej të ballfaqohemi me to”, shtoi ai.
Sipas Arifit, arsyeja që masat nuk janë larguar tash e një vit është se Kosova u vonua në zbatimin e detyrave që i ka marrë përsipër.
Që të arrihej kjo, “Qeveria nuk do të duhej të flinte as natën”, tha tutje Arifi.
“Mendoj se është humbje e madhe, sidomos për një vend të vogël dhe të paintegruar në të gjitha strukturat të botës perëndimore. Kur i sheh të gjitha këto mungesa, Qeveria nuk do të duhej as të flinte natën, derisa të arrinte që të hiqeshin këto sanksione. Masat nuk janë larguar sepse Kosova është vonuar me zbatimin e detyrave që i ka marrë përsipër”
“Kurti dhe Qeveria e tij ka treguar një mungesë të madhe të botëkuptimit të diplomacisë dhe shpeshherë janë treguar të paparashikueshëm, apo “adoleshentë politikë”, që i bie që nuk kanë shumë njohuri”, shton tutje Arifi.
Madje, sipas Arifit, çdo veprim që bëhet nga ana e kryeministrit, mendohen zgjedhjet.
“Qeveria Kurti më shumë është marrë me prononcime dhe me një farë lloj gjuhe kërcënuese, e acaruese ndaj zyrtarëve të BE-së. Kanë menduar se si flasin me opozitën, mund të flasin edhe me BE-në, pra shpesh deklaratat e Kurtit kanë qenë skandaloze dhe të pakuptimta, po flas se si e sheh një perëndimor një qëndrim të tillë të tillë”, tha Arifi.
“Kosovës i duhet një kryeministër që nuk i ka ndërmend zgjedhjet e ardhshme. Derisa kemi një politikan si Kurti që mendon vetëm për zgjedhje, vendi nuk ka zhillim”, përfundon ai për “Expose”, prodhim i GazetaBlic.