Ish-diplomati, Avni Arifi thotë se ajo çka ka rëndësi është ta dijmë kontekstin pse janë vendosur masat.
Arifi për “Expose”, prodhim i GazetaBlic, thekson se arsyeja pse Kosova, tash e një vit, është e dëshkuar, ka të bëjë me dështimin e politikës së jashtme.
“Së pari duhet me dit kontekstin pse masat janë vendos. Janë vendosur për shkak të besimit që ka ekzistu tek vendet e BE-së dhe SHBA-të se Kosova është fajtore për përshkallëzimin e situatës. Pastaj kjo është pasu me një marrëveshje të Bratisllavës në të cilën Kosova, mes të tjerash, ka marrë zotime se deri në fund të verës do të krijoj bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore. Këtu është një kontradiktë e madhe i ka plotësu apo jo Kosova kriteret. Disa thonë se nga Kosova është kërku zgjedhje disa thonë se nuk janë kërku zgjedhje, faktikisht qeveria e Kosovës thotë se ne e kemi kriju mundësinë apo procedurën që në mënyrë ligjore me shku në zgjedhje. Kjo është një nga problemet, problemi tjetër është që diplomacia e Kosovës ka dështu me e bind Bashkësinë Ndërkombëtare se roli i saj është në funksion të depërshkallëzimit të situatës. Në të njëjtën kohë qeveria e Kosovës ka dështu me shfrytëzu momentumin pas sulmit terrorist të shtetit serb në Koosvë, Banjskë, që ose të hiqen masat ndaj Kosovës ose që edhe Serbia të ketë masa të njëjta. Pra po flasim kryesisht për një dështim të politikës së jashtme të Kosovës”, tha Arifi.
Arifi ka komentuar edhe deklaratat e Kurtit dhe Bislimit, ku i fundit tha se, ka informacione që masat do të hiqen, sipas Arifit, janë mashtrim i radhës i tyre.
“Për këtë arsye kemi masa sepse kurrë nuk është vendosur një nivel i duhur i komunikimit dhe koordinimit me Bashkësinë Ndërkombëtare . Atij (Kurtit) mund t’i dukej tallje kjo çështja me koordinim apo pa koordinim por kjo me koordinim apo pa koordinim i ka kushtu popullit masa të BE-së dhe të cilat nga prononcimet që po i shoh nga zoti Stano janë të asaj natyre që nuk duket shumë entuziastë se masat do të hiqen. Tani se a do të hiqen apo jo varet nga raporti i Borrelit. Shpresat tona janë që mesin e vendeve të BE-së ka vende të tilla që kërkojnë që të bëhet një balancim sepse me të vërtetë është e pajustifikueshme që Serbia mos të përballet me masa dhe fakti që tani do të kemi një ekip të ri negociator, dhe mundem ta kuptoj që BE-ja do të ketë një piknisje më të mbarë në këtë proces, kjo është shpresa jonë. Ndërsa qëndrimet e qeverisë së Kosovë dhe spekulimet e kryeministrit, zv/kryeministrit se kanë informacione besoj që janë vetëm mashtrim i radhës. Nuk ka informacione fare por kanë dashtë që ti paraprijnë vendimit të Borrelit që nuk besoj se i shërben dikujt kjo”, tha Arifi.
“Ne presim që të paktën deri në zgjedhje, qëndrimet e Kurtit do të jenë edhe më radikale. Këtë konceptin se e kemi shtri sovranitetin edhe ‘tu kriju një pikturë të një sovraniteti që nuk nuk mund të jetë i qëndrueshëm’ duke e marrë parasysh Kushtetutën që e kemi, edhe faktin se pas një viti sërish do të kemi zgjedhje lokale ku serbët do të marrin pjesë dhe do të ndërron përsëri situata. Nga Qeveria do të shohim një tendencë për me ‘pikturu’ situatën në veri si një situatë idealiste e shtrirjes totale të sovranitetit e që faktikisht ajo nuk reflekton realitetin” , shton ai.
“Populli ka qenë i lodhur nga situata në veri dhe me të drejtë apo jo Kurti ka dit me ua shit qytetarëve se e kemi normalizu situatën atje. Personalisht konsideroj se normalizimi i situatës ndodh vetëm kur eksiston marrëveshje politike mes shtetit dhe qytetarëve që jetojnë atje. Ne jemi duke e mbajtur një situatë që është shumë më mirë se përpara në kuptimin e sigurisë dhe prezencës së Policisë së Kosovës mirëpo një situatë e tillë janë të paktë njerzit që besojnë se mund të jetë e qëndrueshme dhe mund të kemi një mirqënie dhe një stabilitet permanent përderisa nuk kemi marrëveshje politik. Mund të them se marrëveshje politike për veriun kurrë më larg nuk kemi qenë”, deklaroi Arifi për “Expose”, prodhim i GazetaBlic.