• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Asociacioni tani është pushtet paralel – BE do ta ketë referim statutin e Beogradit për formimin e tij

06/02/2023 20:38
nga:G B

Enver Hasani, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashi ka thënë se situata e asociacionit ka lidhje edhe me efektin kohë, pasi kjo situatë që është tani nuk është imagjinuar në fillim kur është bërë marrëveshja dhe se asociacioni ka ndryshuar në mënyrë graduale në bashkësi, ndërsa që tani bëhet fjalë për pushtet paralel.

“Efekti kohë ka lidhje sepse ky problem nuk ka qenë në këtë përmasë ta zëmë, po ta marrim librin e Ashton ta lexojmë, e shohim se larg ka qenë prej asaj që është sot, as që ka mundur të imagjinohet. Pastaj, kjo temë gjykuar sipas atyre që kanë qenë në Vjenë që kanë botuar libra, tregojnë se kjo kërkesë për autonomi është shtruar në formën e asociacionit dhe në mënyrë graduale është zhvilluar në bashkësi dhe tani është e qartë se bëhet fjalë për një entitet që do të jetë pushtet paralel, në vijë horizontale jo vertikale me pushtetin qendror, i cili do të ketë një fuqi autorregullative jashtë Kushtetutës së Kosovës, jashtë rendit juridik që prodhohet ose bazohet në Kushtetutën e Kosovës, kjo është e qartë në marrëveshjen e Ohrit”, thotë Hasani.

Sa i përket vetëqeverisjes, ai thotë se disa e quajnë autonomi kulturore e disa personale, derisa thotë se vetëqeverisja ose autonomia jo territoriale e ka një institucion ombrellë që është këshilli nacional, por në rastin e Kosovës në vend të tij do të jetë bashkësia e komunave serbe.

“Vetëqeverisja në të drejtën ndërkombëtare është, bëhet fjalë për disa e quajnë autonomi kulturore, disa e quajnë autonomi personale, duke u bazuar gjithmonë ky koncept i ka rrënjët në sistemin që njihet si kapitulacion. Vetëqeverisja, vetëmenaxhimi ose autonomia jo territoriale, koncepti i autonomisë territoriale dhe jo territoriale tradicionale janë të njëjta gati sepse aty gjithmonë flitet për largimin nga sistemi nacional i popullsisë, gjuhës, kulturës, territoreve të caktuara, objekteve fetare e kështu me radhë, me qëllim të vetërregullimit të brendshëm të tyre. Por këta gjithmonë e kanë një institucion ombrellë. Ai institucion ombrellë zakonisht është një këshill që formohet një këshill, këshillat nacional i kanë këto që keni dëgjuar, por te ne ai institucion ombrellë nuk do të jetë këshilli nacional por do të jetë bashkësia e komunave serbe, e cila do të thotë e menaxhon dhe i cakton parametrat”, thekson ai.

Hasani deklaron se Marrëveshja e Ohrit ka status super kushtetues, teksa shton se BE do ta ketë pikë referimi draft statutin e propozuar nga ekipi menaxhues, të cilin ai e quan statut të Beogradit, po thotë se do të shtohet diçka, duke u munduar që të gjendet zgjidhje për të dyja palët që të pajtohen.

“Është absolutisht e njëjta gjë, vetëm është çështje e arsyetimit, si e arsyetojnë ata që kanë pasur aksion në të kaluarën dhe sot lidhur me formimin e tij. Prapë po e përsëris, këto që sot i marrim si të mirëqena kanë qenë të paimagjinueshme, gjykuar gjithmonë sipas atyre që kanë qenë në Vjenë dhe që kanë botuar librin, në mënyrë graduale kemi ardhur në një pozitë që kjo, tash marrëveshja e Ohrit ka status super kushtetues, marrëveshja e Ohrit dhe Brukselit. Pse? Sepse është pjesë e integrimeve tona euroatlantike. Në çdo vend që do të jesh do ta kesh. Ka një komision që është futur në agjendën evropiane të dy vendeve të Serbisë dhe Kosovës, i cili nuk është që e interpreton atë, por më nuk është çështje lehtësuesit, por është e Bashkimit Evropian, i cili e ka marrë një detyrë, vlerëson si po zbatohet dhe mbikëqyr zbatimin dhe kjo është diçka tjetër, hapësira për manovrim dhe interpretim, brenda ti këtu mund të thuash çfarë të duash, do të thotë të gjitha palët e kanë për treg të brendshëm, ajo është legjitime por realiteti është ky sepse do ta shihni çdo ditë e më shumë, pikë referimi do të jetë statuti i Beogradit, ai që është prodhuar nga komisioni i Kosovës, por që është prodhuar në Beograd, plus minus mund të ndodh të largohen disa pjesë ose të shtohet diçka me gjet një zgjidhje, për të dyja palët, aty është esenca e idesë”, thotë Enver Hasani./Gazeta Blic/