• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Hasani: Sa më shumë të shtyhen proceset e përmbushjes së detyrimeve, do të rritet kamata e dëmit në kurriz të Kosovës

06/02/2023 21:08
nga:Astrit Gashi

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, foli edhe për mosmarrëveshjet që ka pasur me kreu e AAK-së, Ramush Haradinaj, në kohën kur Gjykata Pamundësoi në vitin 2014 formimin e koalicionit qeverisë, VLAN, me ç’rast tha se Haradinaj, pas vendimit për VLAN-in nxori videon, të cilën Hasani e cilëson si të turpshme dhe si rrugaçëri.

“Në vitin 2015 unë nuk kam pasur mbrojtjen e askujt. Të asnjë force politike. Prokuror ishte Lumezi, i caktuar nga PDK-ja, për të cilin faktova se ishte falsifikues, i tillë është edhe sot, e kreu mandatin me diplomë falso. Kryeprokurorët kanë qenë dhe janë të atyre konjukturave. Unë nuk u dorëzova dhe vazhdova punën timë”, tha Hasani.

Duke folur në lidhje me konstatimin se pas vendimit për Qeverinë e Avdullah Hoti, ai nga një person i urryer u shndërruar në një person të preferuar të Vetëvendosjes, Hasani tha se ai edhe sot është i mendimit dhe beson se ka qenë gabim të formohet Qeveria me konjuktura të momentit.

“Unë mendoj se nuk duhet ashtu. Edhe kur i ke, edhe kur nuk i ke votat, duhet të ndiqen rregullat ligjore, normat kushtetuesek, sepse kjo krijon stabilitet, siguri juridike, të individit, por edhe të shtetit, si tërësi. Prandaj unë edhe sot besoj se ka qenë praktikë e shëmtuar e rrëzimit dhe e eleminimit nga skena. Jo pse e pati si pasojë fuqizimin e mëvonshëm, po flas në parim, edhe sot jam kundër asaj logjike”, tha Hasani.

Ai mohoi spekulimet se i është ofruar futja në listë zgjedhore të VV-së, duke theksuar se nuk është i majtë dhe se nuk do të anëtarësohej në një parti, në vlerat e së cilës nuk beson. “Nuk jam hipokrit. E dyta, në të gjitha fazat kam këshilluar dikur publikisht sa kam qenë në ekzil, e edhe pas luftës, deri në vitin 2005 të gjithë liderët ose partitë që janë sot në pushtet ose opozitë, përfshirë edhe segmente të caktuara të Vetëvendosjes, kur më kanë pyetur diçka. Me dashamirësinë më të madhe e kam thënë atë çfarë mendoj dhe atë pa kurrfarë kompenzimi “, tha Hasani.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese foli edhe për vendimin e kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit dhe theksoi se sa më shumë të shtyhen proceset e përmbushjes së detyrimeve, vetëm sa do të rritet kamata e dëmit që ngelet në kurriz të Kosovës.

“Duhet të mbyllen këto procese. Është vendim i gjykatës, i mirë i keq, ai vendim ekziston. Mund ta diskutosh, por nuk mundesh asnjëherë me e rezistu zbatimin e një vendimi, sepse sundimi i ligjit nënkupton zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe është ABC-ja e sundimit të ligjit në një vend. Detyrimet ndërkombëtare, nuk dallon asgjë Bashkësia e Komunave Serbe nga çështja e manastirit, të gjitha këto janë detyrime që ti duhesh me i mbyllë. Nuk ka rëndësi cila Qeveri e ka bërë, shteti ka detyrime dhe ato trashëgohen”, tha Hasani.

Ai më tutje tha se asnjëherë ndonjë shtet i huaj nuk ka ushtruar ndikim në vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.