Përgatitja e çajit është art, ndërsa pirja e tij duhet të shijohet, siç shijohet vera. Kështu tha Susan Allen, amerikanja 73 vjeçare e cila jeton në Kosovë prej 2 vite e gjysmë. Ndonëse nuk kishte qenë kurrë më parë në Kosovë, sapo zbriti nga avioni për herë të parë, ajo mbeti e befasuar me bukuritë e vendit tonë, që për të tani është shtëpia e saj e dytë pas Amerikës. Për Kosovën kishte dëgjuar shumë pak në kohën e konfliktit me Serbinë, por fati e solli këtu dhe tani dëshiron të jetojë këtu sa më gjatë që të jetë e mundur.
Ajo na demonstroi përgatitjen e çajit kinez tradicional, i cili kishte vërtetë shije të mirë. Si përgatitjen e tij, art e sheh edhe pirjen e tij, njësoj si meditimin.
Vitet për të janë thjesht numra pasi është shumë energjike dhe punon si vullnetare me të rinjtë e Kosovës, për të cilët thonë se kanë shumë vlera.
Susan e do ushqimin tradicional shqiptar, byrekët, flijat e mantijat. Ndërsa Peja është qyteti që e ka mahnitur dhe në të cilin do të donte të jetonte.
Përshtypjet për Kosovën i ka të jashtëzakonshme, ani pse ka jetuar në 10 shtete të botës. Në Prishtinë jeton e vetme, me dy macet e saj, të adaptuara nga Gjakova.
Te kosovarët vlerëson mirësinë, mirënjohjen, miqësinë e përkushtimin për familjen, sidomos tek të rinjtë, që thotë se nuk e gjen këtë në amerikë.
Në rrëfimin e saj për dokumentarin Expose të Gazeta Blic, ajo rrëfen se si erdhi deri te vendimi për të jetuar në Kosovë dhe për të shërbyer si vullnetare.
“Si shtet fillimisht për Kosovën kam dëgjuar shumë kohë më parë, ishte koha e konfliktit, që ishte shumë në lajme. Në atë kohë, nuk më kujtohet saktë, isha në lëvizje, nga Japonia në Kirgistan dhe në Rusi, kështu që kam qenë shumë e zënë dhe nuk kam pasur shumë informata. Unë dija pak, sepse punoja për teatër dhe zhvillim. Dhe kështu, ne filmuam diskutime dhe pak teatër, për të ndihmuar të rinjtë të angazhoheshin me problemet në shoqëri. Dhe, personi me të cilin punoja shkoi nëpër botë për të bërë këto zhvillime teatri dhe ai kishte qenë dhe në Kosovë. Kështu që unë isha redaktore e skenarit. Dhe, kështu, unë redaktoja disa skenarë nga njerëz në Kosovë. Ishte shumë interesante. Por, përveç kësaj, Kosova nuk ishte në mendjen time. Unë po shkoja në Bosnjë dhe ishte gjithçka shumë e papritur. Unë nuk isha shumë e vetëdijshme për politikat ose situatën këtu. Thjesht e dija që ishte një vend i konfliktit të vazhdueshëm për një kohë të gjatë”, ka rrëfyer ajo.
Ajo tregon se kishte dëgjuar për luftën Kosovë-Serbi por dinte shumë pak. Dhe, pasi në Bosnjë iu refuzua qëndrimi, ajo duhej të zgjidhte mes Kosovës e Serbisë. Në Serbi ajo thotë se shihte errësirë, ndërsa në Kosovë shihet dritën, kështu që e zgjodhi këtë të fundit.
Më duhej të zgjedhja mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoja Kosovën dhe shihja dritë, ndërsa në Serbi pak errësirë. Zgjodha Kosovën
“Po, por nuk kisha fare detaje. Dhe pastaj kur erdha, sigurisht, në Bosnjë, para se të vija, kisha rreth tre muaj që e dija se po vija. Kështu që, studioja boshnjakisht dhe studioja gjithashtu histori. Dhe në atë kohë lexova për politikat. Dhe sigurisht, jeni të gjithë të lidhur, Bosnja, Serbia dhe Kosova janë të gjitha të lidhura. Dhe kështu tashmë kisha një ide. Dhe pastaj, papritmas më duhej të largohesha nga Bosnja. Më duhej të vendosja shpejt nëse do të shkoja në Serbi, ose nëse do të shkoja në Kosovë, sepse ne operojmë në të gjitha këto vende. Të njëjtën gjë që e bëjmë këtu, e bëjmë edhe atje. Dhe në thelb, ne përpiqemi t’i bashkojmë njerëzit, të heqim paragjykimet e tyre, sigurisht duke e ditur se ka shumë histori dhe shumë për të tejkaluar. Dhe kështu, kisha dy javë për të vendosur. Dhe nuk e di, në mendjen time, ishte Serbia dhe Kosova. Dhe sa herë që shikoja këtu nga Kosova, ishte dritë. Dhe sa herë që shikoja nga Serbia, ishte pak errësirë. Andaj u ktheva drejt Kosovës. Dhe pastaj, një mik i imi, i cili mendoj se ka qenë ambasador këtu nga Holanda, që tani punon në Haifa, Izrael, më tha se ndoshta do të ishte më e lehtë për mua të merrja vizë këtu. Dhe, kjo ishte gjëja kryesore. Nuk doja të isha përsëri në një situatë ku më duhej të largohesha”, ka thënë ajo.
73 vjeçarja nuk kishte ide se si dukej Kosova derisa erdhi këtu. Prishtina e befasoi për të mirë dhe ishte e lumtur që zgjodhi Kosovën.
“Në fakt, nuk kisha asnjë kuptim vizual të Kosovës fare. Supozoja se ishte një vend jugor evropian. Por, nuk duket si kryeqytete të tjera. Është më modern, mendoj. Dhe, nuk është ai lloj kryeqyteti që ka qenë këtu për shekuj, me arkitekturën e vjetër”
“Isha absolutisht e befasuar, sepse thjesht dukej sikur po vozisja në autostradë në Amerikë, teksa po vija nga aeroporti. Dhe, prisja të shihja ndërtesa të vjetra, e kështu me radhë. Më pëlqejnë ndërtesat e vjetra. Por, isha pozitivisht e impresionuar dhe e lumtur që isha këtu. Njerëzit kanë qenë gjithmonë të sjellshëm. Diçka shumë interesante më ndodhi në ditën time të dytë këtu, Po ecja në rrugë me një mik, dhe takuam një gazetar. Dhe patëm një intervistë, pikërisht si kjo, ku ajo tha, cilat janë përshtypjet tuaja për Kosovën? Unë kisha qenë këtu vetëm për dy ditë dhe i dhashë përshtypjet e mia. Por tani, dy vjet e gjysmë më vonë, po jap përshtypjet e mia përsëri”, ka deklaruar Susan Allen./GazetaBlic/


