• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Sadiku flet për procesin e digjitalizimit të votimit: LVV 99 për qind të energjisë e çon në mbajtje të pushtetit e jo në zhvillim të shtetit

02/02/2026 12:54
nga:G B

Ermal Sadiku, deputet i zgjedhur i LDK-së, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, ka folur për digjitalizimin e procesit të votimit, teksa ka thënë se do kishte kosto më të ulët dhe do të ishte më i lehtë dhe i pa manipulueshëm.

“Mendoj se kemi mundur, shumica e proceseve digjitale në Kosovë nuk janë kryer, e kemi procesin shëndetësor, ka qenë komplet buxheti i gatshëm 1 për qind është kryer, ai i arsimit zero për qind, e njëjta filozofi, ideologji dhe praktikë ka ndodhur në shumicën e proceseve në Kosovë që kanë të bëjnë jo vetëm me digjitalizimin, me çdo gjë që ka mbetur mbrapa. Kjo e numërimit të votave, sepse paraqitja është digjitale ndërsa procesi i numërimit është ende manual, në shumë shtete të Evropës vazhdon me qenë kështu si në Kosovë por atje më duket besimi në institucione por edhe besimi dhe respekti i qytetarit ndaj votës është më i madh se këtu. Këtu për shkak të historisë dhe problemeve me vota që i kemi pasur, nuk është dashur t’ia lënë këtë besim të qytetarëve numëruesve dhe vëzhguesve, sado që shumica prej tyre janë tepër të mirë por disa që e kanë keqpërdorur është dashur të distancohen, procesi është dashur të digjitalizohet të bëhet komplet i mbikëqyrur nga makinat sepse është kosto shumë e lirë, e shpejton procesin, ia zvogëlon shpenzimet Kosovës, KQZ-së, stresin qytetarëve, stresin politikanëve, të gjitha këto procese ishin thjeshtëzuar me një platformë tepër të lirë dhe të thjeshtë e cila e bën numërimin në mënyrë automatike, e kryen brenda ditës, qytetarët dhe politikanët e marrin vesh komplet informatën edhe e ruan votën dhe makinën s’mund ta korruptosh bash lehtë, me 50 euro, duhet ta korruptosh platformën që është gati e pamundur, kështu që ish dashur kjo punë të digjitalizohet, do të jetë mision i imi i këtyre katër viteve të ardhshme që të merrem me të”, ka thënë Sadiku.

Por, sipas tij, kjo mund të mos ndërrohet edhe për shkak të interesave të dikujt, duke shtuar se ka padituri e mungesë të vizionit.

“Tash të them se dikush s’po do që ta ndërrojë për shkak të interesave për të keqpërdorur. Ka padituri, ka mungesë vizioni sepse e njëjta është transmetuar edhe në pjesët tjera të qeverisë por përderisa s’ke bërë digjitalizim të votave, digjitalizim të shëndetësisë, jo që s’ke pasur para, jo që s’ka pasur njerëz që kanë qenë të gatshëm për ta bërë, thjesht shteti s’ka pasur vizion, ende nuk e ka, s’ka vizion të qartë si e sheh Kosovën pas 4 vitesh”, ka vlerësuar deputeti i zgjedhur i LDK-së.

Ai vlerëson se LVV 99 për qind të energjisë e çon në mbajtje të pushtetit e jo në zhvillim të shtetit.

“Unë mendoj se LVV 99 për qind të energjisë e çon në mbajtje të pushtetit e jo në zhvillim të shtetit. Komplet energjia, politika, ndarja e buxhetit, pozitave shkon me vizionin se si të mbahet pushteti sa më gjatë dhe kur ti e kalon ditën duke menduar se si ta mbash pushtetin, ti nuk mund ta zhvillosh shtetin. VV komplet energjinë e ka se si ta mbajë pushtetin. Për ta mbajtur pushtetin sa më gjatë, popullin duhet ta mbajnë më të varfër dhe mendoj se për fat të keq ashtu po ndodh, populli po mbahet me skema sociale, me grante, subvencione, me para nëpër fushata, me ndihma dhe ne si parti opozitare nuk kemi guxuar të dalim të kundërshtojmë këtë demagogji dhe popullizëm sepse jemi frikësuar se populli do të mendojë se qëllimi ynë nuk është me i ndalë paratë por që t’u jepen në mënyrë tjetër, që ato 100 euro të bëhen 1 mijë euro, por jo një herë në muaj, jo në prag të zgjedhjeve. Qëllimi ynë është që t’i tregojmë qytetarit se nuk është qëllimi ynë t’ua ndalim 30 euro për fëmijë por që shkollën t’ua bëjmë më të mirë fëmijëve, rrymë, siguri, shëndetësi, e gjëra të tjera. Kjo shumë shpejt do t’i kërcet sepse unë mendoj se edhe 1-2 vjet kjo ekonomi do ta çojë Kosovën në humnerë dhe kjo është e matshme”, ka deklaruar Ermal Sadiku./Gazeta Blic/