• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Rexha për projektligjin për KPM-në: Nuk ka patur gjithpërfshirje, konsultim me akterë të shoqërisë civile dhe industrisë së medias

06/28/2024 21:36
nga:Y I

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, është i ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin.

Ai ka folur për projektligjin e shumpëfolur për KPM-në i cili ka hapur një debat të madh në vend ku ka patur kundërshti nga shoqatat e gazetarëve, Bashkimi Evropian dhe ekspertë.

Rexha tha se ky ligj ka disa probleme të cilat ata i kanë adresuar tash e sa kohë.

Ai tha se problemi kryesor është se nuk ka patur gjithpërfshirje, konsultim me akterë të shoqërisë civile dhe industrisë së medias.

“Ligji aktual i cili dje është vënë për lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës i ka disa probleme të cilat ne i kemi adresuar tash e një kohë të gjatë. Kishim një iniciativë të Qeverisë që në ardhje që ta bëjë një ligj të ri. Fillimisht në fakt u tha se vetëm do ta amandametojë ligjin aktual duke i shtuar disa pjesë të reja por më pas nisi hartimin që nga fillimi. Problemi kryesor që thuhet edhe në raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës të cilën e kemi cekur vazhdimisht është se nuk ka patur gjithpërfshirje, nuk ka patur konsultim me akterë të shoqërisë civile, industrisë së medias që janë kryesorët që do ta zbatojnë këtë ligj. Pra ka patur një tendencë të injorimit total të gjithë zërave të cilët mund të japin kontributin e tyre për ta bërë ligjin sa më të mirë”

“Ne kemi qenë të ftuar në vetëm një dëgjim publik para dy vitesh ku i kemi dhënë vërejtjet tona por pë shkak të vullnetit të mirë ne së bashku me zonjën Kusari dhe zotin mushkolaj kemi iniciuar një takim me zotin Luan dalipi, këshilltarin e kryeministrit Kurti për ta diskutuar nevojën për ta bërë ligjin sa më të mirë, për të dhënë kontributin tonë si ekspertë të fushës që ligji të jetë edhe në përputhje me standartet evropiane edhe i zbatueshëm në Kosovë. Përveç një takimi nuk ka patur asnjë lëvizje tjetër dhe nuk ka patur  gadishmëri të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të përfshi akterë të shoqërisë civile për ta hartuar ligjin dhe kjo është absolutisht për keqardhje sepse ka raste të ligjeve të tjera kur përfshirja e shoqërisë civile i ka bërë ligjet më të mira” tha Rexha në Blic Interview raporton Gazeta Blic.