• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Bajqinovci vazhdon bindjen: Albin Kurti, 100% i fiton zgjedhjet!

11/01/2024 21:43
nga:G C

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Mefail Bajqinovci, ka shprehur besimin e tij të plotë se kryeministri Albin Kurti do të vazhdojë në krye të Qeverisë me mandatin e tretë, duke deklaruar se “në asnjë moment nuk kemi asnjë panik”.

Ai në Blic Interview me Astrit Gashin, theksoi se bazuar në të dhënat e mbledhura, VV-ja është e bindur se do të arrijë të fitojë 50% të votave popullore në zgjedhjet e ardhshme.

“Në asnjë moment, unë e them me plotë përgjegjësi duke u bazuar në të dhënat që i kemi, ne prijëm bindshëm dhe nuk kemi asnjë panik. Unë besoj 100% që kryeministri Kurti do të jetë prap kryeministër i Qeverisë Kurti 3. Nuk ka kurrfarë panike dhe do të shihet se ne do ta kemi përsëri rezultatin, 50% të votave popullore”, tha Bajqinovci.

Bajqinovci theksoi se nuk është e nevojshme të bëhet koalicion, duke e sqaruar se partia është në terren dhe ka një ndjesi të qartë për gjendjen e opinionit publik, pavarësisht kritikave nga opozita. “Ne e dijmë opinionin e popullit,” tha ai, duke shprehur sigurinë se rezultatet do të jenë në favor të VV-së.

Ai gjithashtu përmendi përvojën e kaluar me koalicionet, veçanërisht me LDK-në, dhe nënvizoi se “koalicioni me PDK-në është më së largu”.

“Nuk besoj që ka nevojë të bëjmë koalicion sepse ne do t’i kemi përsëri 50% të votës popullore, ne jemi në terren gjatë gjithë kohës dhe e dijmë se si është gjendja, pa marrë parasysh që duke njëfarë lloj kritike e madhe e opozitës. Edhe brenda, edhe jashtë vendit, ne e dijmë opinionin e popullit. Ne e kemi provuar me partitë, kemi qenë me LDK-në, por na kanë goditë në çështje të caktuara. Por, koalicioni me PDK-në është më së largu”, tha deputeti i VV’së.

Sa i përket çështjes së presidencës, Bajqinovci shprehu se kjo do të diskutohet pas formimit të Qeverisë Kurti 3.

Duke folur për harmoninë brenda qeverisë, ai theksoi se “qeveria dhe presidenca janë duke punuar zyrtarisht në mënyrën e duhur” dhe se mendimet e ndryshme për çështje të caktuara nuk e prishin harmoninë e qeverisjes.

Bajqinovci e përfundoi deklaratën e tij duke shprehur se funksionimi i VV-së me Listën Guxo ka qenë shumë i mirë dhe nuk sheh asnjë shkak që mund të ndikojë në uljen e përqindjes së votave për partinë e tij.

“Sa i përket çështjes së presidencës, është herët të flasim. Njëherë duhet të formohet Qeveria Kurti 3 dhe besoj që pastaj do ta kemi edhe çështjen e presidentes”, tha Bajqinovci.

“Qeveria dhe Presidenca janë duke punuar zyrtarisht në mënyrën e duhur, mendimet e ndryshme për çështje të caktuara nuk e prishin harmoninë e qeverisjes në dy nivele. Funksionimi i VV’së me Listën Guxo ka qenë shumë i mirë edhe me elektorat dhe nuk mendoj se mund të ketë ndonjë shkëndijë që mund ta ulë përqindjen e votave”, tha ai në BlicInterview.

12/08/2024 09:21

Miratimi i katër ligjeve në Kuvendin e Kosovës, Lushtaku kritikon VV-në: Çështje elektorale dhe pa analizë të mirëfilltë