Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka ngritur shqetësime në lidhje me dorëheqjet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar rëndësinë e përkushtimit të ushtarëve për misionin e mbrojtjes së vendit, raporton GazetaBlic.
“Çdo pjesëtar i FSK-së, i cili e merr atë detyrë, nuk duhet të ketë arsye ekonomike dhe as ndonjë arsye tjetër, sepse ai është në mision për ta mbrojtur vendin,” tha Humolli për Expose, prodhim i GazetaBlic, duke theksuar se tërheqja prej uniformës është e papranueshme.
Ai shtoi se “kushdo që tërheqët prej uniformës nuk është korrekt me vetveten.”
Humolli theksoi se institucionet e vendit kanë një detyrë të rëndësishme për të krijuar kushte më të mira për pjesëtarët e FSK-së, në mënyrë që ata të përqendrohen vetëm në misionin e mbrojtjes së atdheut.
Ai u shpreh se “problemet sociale janë detyrë e institucioneve tona” dhe se është thelbësore që këto institucione të angazhohen në përmirësimin e kushteve për ushtarët.
Duke bërë një krahasim historik, ai e lidh këtë situatë me veprimet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke thënë se “nuk është korrekte të lëshohet uniforma, njëjtë si pjesëtarët e UÇK-së, kur e kanë lëshuar pushkën dhe kanë ikur, nuk kanë treguar korrektësi.”/GazetaBlic/