Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, është i ftuari i radhës në Blic Interview.
Rexha duke folur për KPM-në tha se një anëtare e Bordit të këtij institucioni është publikisht përkrahëse e qeverisë së Kosovës.
Ai tha se qasja e deputetëve të VV-së ndaj anëtarëve të tjerë të KPM-së, përveç zonjës në fjalë, është e rrezikshme dhe e paimagjinueshme.
“Ne tashmë kemi një anëtare të Bordit të KPM-së e cila është publikisht përkrahëse e qeverisë së Kosovës. Në dëgjimet për KPM-në të Komisionit të KPM-së për kthimin e kanaleve të arenës së sportit në Kosovë ne kemi parë një gjuhë të zonjës kundër kolegëve të saj të KPM-së që ka qenë mjaft e vrazhdë. Ajo çfarë ka ndodhur në këto dëgjime ka qenë që deputetët e Vetëvendosjes i kanë quajtur anëtarët e tjerë të KPM-së, përveç zonjës në fjalë, i kanë quajtur tradhtar, bashkëpunëtor të Vuçiqit që janë akuza shumë të rënda për t’u bërë për shkak të këtij vendimi, të kthimit të këtyre kanaleve të cilat tashmë janë hequr përfundimisht sepse nuk i kanë përmbushur kushtet për ta mbajtur liçencën. Por gjuha, qasja, ndaj institucionit që duhet të jetë i pavarur por që sipas kësaj partie në pushtet duhet që vendimet t’i shkojnë krejtësisht dhe gjithmonë në linjë me politikat e qeverisë së Kosovës është absolutisht i rrezikshëm, i paimagjinueshëm. Ka ndodhur edhe më herët por mbase fakti që tashmë ka vetëm një parti politike që udhëheq me Kosovën dhe herët tjera ka patur gjithmonë koalicione, tani është e frikshme që ka një numër shumë të vogël të njerzve që i marrin të gjitha vendimet të cilat sipas tyre duhet të shkojnë gjithmonë në interes të politikave të Vetëvendosjes” tha Rexha në Blic Interview raporton Gazet Blic.