Amerikanja Susan Allen e cila jeton në Kosovë prej dy vite e gjysmë, ka jetuar në 10 vende të ndryshme të Kosovës, por në Kosovë veçon mirësinë e njerëzve e po ashtu faktin që shqiptarët janë shumë miqësor.
“E dini, kam jetuar në shumë vende. Kam jetuar në Afrikë për 17 vjet, kam jetuar në Kinë për 10 vjet, në Rusi, dhe, gjëja më e rëndësishme për mua nuk janë gjërat e jashtme, por miqësia e njerëzve, Mirësia e njerëzve, Dhe duke e kuptuar, sigurisht, se të gjithë janë të ndryshëm, dhe njerëzit kanë mënyra të ndryshme për të shprehur mirësinë. Kështu që, duke ardhur nga Bosnja, menjëherë ndjeva se njerëzit ishin pak më miqësorë këtu. Unë shijoj kontaktin me sy me njerëzit. Gjë që të huajt e gjejnë pak të çuditshme. Por, kështu i njihni njerëzit. Menjëherë vura re se kishte më shumë kontakt me sy, pak më të relaksuar. Më pëlqen kultura e kafesë. Siç do ta shihni, jam shumë e interesuar për kulturën e çajit. Por, dhe unë gjithashtu e dua atë që e quani ‘çaj rusi’, që është si çaj turk. Më pëlqen edhe kafja turke, nëse është e bërë mirë”
Përpos Prishtinës, Susan ka vizituar edhe Pejën, Gjakovën e Prizrenin. Ndër to veçon Pejën si magjike, me ujin, ajrin, natyrën e ushqimin e mrekullueshëm.
“Po, kam qenë në Pejë disa herë. Kam miq atje. Dhe jam pak e përfshirë me këtë programin rinor që bëjmë. Dhe, më pëlqen Peja. Nëse nuk do të isha e përfshirë në atë që po bëj këtu, do të jetoja në Pejë. Është kaq e bukur, uji është kaq i pastër, ajri është i mrekullueshëm. Unë i dua burimet termale. Kështu që do të qëndroja patjetër atje. Kam qenë në Gjakovë, dhe më pëlqen shumë Gjakova. Më pëlqejnë njerëzit atje. Ka lloje të ndryshme njerëzish që më pëlqejnë. Më pëlqejnë njerëzit e fshatit, më pëlqejnë intelektualët, dhe në Gjakovë keni disa biseda shumë të këndshme për kulturën. Kështu që, mu duk shumë interesante atje”
Përpos progamit me të rinjtë, ajo thotë se i pëlqen të dëgjojë histori nga të moshuarit dhe se i pëlqen njerëzit që jetojnë në fshatra.
“Sigurisht, njerëzit në fshatra janë mjaft të ndryshëm nga njerëzit në qytet. Më pëlqejnë shumë njerëzit që jetojnë në fshat, po ashtu edhe njerëzit e moshuar. Më pëlqen të dëgjoj historitë e tyre. Kjo është mënyra se si mësoni për një kulturë. Unë jam me të rinjtë dhe dëgjoj për problemet, shqetësimet dhe dashuritë e tyre. Kam edhe shumë shoqe gra që janë në të 30-at, 40-at, 50-at. Më pëlqen të krijoj miqësi. Dhe kështu që mësoj shumë rreth kulturës në atë mënyrë. Duhet të dini se duhet t’i njihni njerëzit dhe duhet të jeni në gjendje të tregoni jetën tuaj dhe ata do të tregojnë jetën e tyre dhe aty gjeni të përbashkëtën midis të gjithë njerëzve”, ka thënë Allen./Gazeta Blic/

