Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka folur për koalicionin me AAK-në, platformën e tyre, mos arritjen e koalicionit me PDK-në, e shumë të tjera.
Ai thotë se Limaj dhe Haradinaj kanë biseduar prej gjashtë muajsh për këtë koalicion, që ka në vetvete platformën politike mbi të cilën do të ndërtohet qeverisja e ardhshme e vendit.
“Ju e dini që kryetari Limaj ka një kohë që ka bërë një ftesë partive të ndryshme opozitare për t’u bashkuar kundër qeverisjes arrogante në vend, të z.Kurtit, të papërgjegjshme e me elemente degraduese të shtetit dhe në vend të kësaj ai ka kërkuar që partitë opozitare së pari duhet të bashkërendojnë aktivitetin dhe më vonë pastaj të shkojnë edhe drejt një koalicioni dhe bisedimet ka një kohë të gjatë që kanë nisur me AAK-në, Limaj dhe Haradinaj ka 6 muaj që kanë biseduar për mundësinë e një koalicioni dhe dje u finalizua një marrëveshje që ka në vetvete një platformë politike, mbi të cilën do të ndërtohet qeverisja e ardhshme e vendit”, thotë ai.
Sherifi shpjegon pikat e platformës së këtij koalicioni.
“Pikat e platformës janë në politikën e jashtme, kemi të bëjmë me një degradim të jashtëzakonshme në raport me aleatët, mbështetësit ndërkombëtar të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Po ashtu kemi degradim në raportet Kosovë-Shqipëri, e së fundmi edhe ndërhyrjen e Albin Kurtit në zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni, përgatitja për të ndërhyrë edhe atje në zgjedhje, e bëjnë pozitën e Kosovës në rrafshin e jashtëm jashtëzakonisht problematik. Duke pasur parasysh këto, pastaj në rrafshin e brendshëm, asnjë projekt i mesëm nuk është krijuar për tri vjet pushtet të Albin Kurtit, kemi telashe jashtëzakonisht të mëdha me shtrenjtimin e madh të jetës që është bërë, inflacionin, mungesë të vizionit për zhvillim ekonomik. Kemi të bëjmë me një njeri që është kundër ekonomisë së tregut. E kemi parë se çfarë qasje ka me bizneset, me mediat, OJQ-të”, potencon ai.
Ai kritikon Kurtin për qasjen e tij dhe arrogancën, teksa shton se në Kosovë nuk ekzistojnë nevojat e askujt pos Albin Kurtit dhe se ai ia ka kaluar çdo qeverie me nepotizmin e punësimin e militantëve.
“Pra, marrë parasysh pushtetin absolut që ka, edhe arrogancën e ka absolute. Dhe duke i pasur të gjitha këto parasysh, konsiderojmë se është koha për një bashkërendim të aktiviteteve opozitare në funksion të kësaj së pari koalicioni me AAK-në dhe të ecim përpara, të shohim cilat janë mundësitë për të bashkërenduar edhe me partitë tjera dhe grupet tjera, me sindikata që janë të përbuzura. Në Kosovë nuk ekzistojnë nevojat e askujt pos Albin Kurtit, nuk kanë rëndësi nevojat e askujt pos të Albin Kurtit dhe pushtetarëve të tij. Ai nepotizmin, familjarizimin, punësimin e militantëve partiak e ka ngritur në nivel shumë më të lartë se sa që ka qenë në qeveritë e kaluara. Këto janë disa nga pikat që mendojmë se duhet të ndërtohet opozitë bërja e ardhshme dhe mbi të gjitha platforma e ardhshme zgjedhore e koalicionit AAK-Nisma dhe kushdo tjetër që konsideron që mund të kontribuojë nga vetja për të forcuar këtë nismë”, shton Bilall Sherifi për BlicInterview.