• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

‘I gjymtuar nga minat në kufirin Kosovë-Shqipëri’ Ademaj: Ajo kohë s’harrohet derisa të vdes!

01/30/2026 21:27
nga:Y I

Forcat paramilitante e policore serbe goditën vazhdimisht territorin e Kukësit e sidomos fshatrat përgjatë kufirit.

Gjatë periudhës së luftës u vendosën përgjatë kufirit një numër i madh minash duke shkaktuar aksidente në njerëz dhe dëme materiale.

34 persona humbën jetën si pasojë e këtyre minave, 50 u gjymtuan dhe 12 u verbuan.

Izet Ademaj, ish-efektiv i Policisë kufitare është njëri nga personat e gjymtuar nga këto mina.

Ai për dokumentarin ‘Expose’ na rrëfeu se si gjatë kohës sa patrullonte përgjatë kufirit, shkel në mina, dhe humb njërën këmbë.

Ademaj na tregon se ‘ajo kohë nuk harrohet për të derisa të vdesë’.

“Kam qenë ish-efektiv i policisë kufitare dhe me datën 27 maj gjatë patrullimit të vijës së kufirit shkela në një minë anti-personal ku humba këmbën e djathtë poshtë gjurit. Kuptohet si kanë qenë ato ditë dhe kohë shumë të vështira. Më kanë transportuar me makina të Policisë dhe kampingu i parë për t’u futur në qytet për të shkuar tek spitali ky këtu, i qeverisë italiane në fshatin Rexhepaj. Këtu ka qenë një popullsi shumë e madhe e refugjatëve, mbi 10 mijë, një ekip mjekësh italianë, këtu kam marrë ndihmën e parë dhe më kanë transportuar për në Tiranë me helikopter. Ndihmën e parë e kam marrë në kampingun këtu”

“Ajo kohë mua nuk më harrohet kurrë derisa mos të jem më në këtë jetë, kohë më të vështir s’ka patur. Gjithka ka ndodhur brenda territorit shqiptar gjat patrullimit, ne kohën që kolegët e punës dhe makinat e Policisë po me transportonin, karvani i të dëbuarve vazhdonte të vinte, ishte kulmi i të dëbuarve në atë kohë, kohë shumë të vështira dhe shpresoj që mos të përsëritet diçka e tillë kurrë”

“Si rezultat i luftës u minos një pjesë e madhe e territorit shqiptar nga minat, nga ushtria dhe policia serbe ku pati shumë aksidente. Një pjesë e madhe humbën gjymtyrët, sytë, dëmtime nga më të ndryshmet. Nga viti 2001 të gjymtuarit nga minat si rezultat i luftës së Kosovës janë pajis me proteza në Slloveni nga qeveria amerikane për 10 vjet rresht” tha Ademaj në rrëfimin e tij për dokumentarin ‘Expose’ raporton “Gazeta Blic’.

/Gazeta Blic/