Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ishte i ftuari i radhës në emisionin BlicIntervieë me Astrit Gashin.
Hoxhaj tha se përdorimi i fjalës “hajvanat” nga Kurti më 9 shkurt ka treguar pakënaqësinë e tij ndaj rezultatit zgjedhor dhe qëllimin për të mos krijuar institucione.
“Mendoj që fjala hajvanat që është përdorë me 9 shkurt, në fakt e ka shpërfaq nën vedijen e zotit Kurti pakënaqësinë e tij me rezultatin zgjedhor dhe mbi të gjitha e ka tregu edhe qëllimin e tij të vërtetë politik për të mos kriju institucione. Kur ai atë natë e ka përdorë fjalën hajvanat për opozitën ka shpreh mllef ndaj një elektorati që nuk ia ka dhënë votën e domosdoshmë dhe unë mendoj që kjo është e frikshme. Unë nuk njoh ndonjë subjekt politik në histori të Kosovës i cili ka 48 deputetë nga partia e tij, i cili ka parti tjera politike në Kuvend që mund ta merr votën e tyre, vjen në Kuvend të Kosovës dështon në raundin e parë që të bëhet kryeministër, dështon në raundin e dytë dhe na qon në zgjedhje të parakohshme me të vetmën dëshirë që ëshë më shumë përmes mashtrimit, përmes populizmit të merrë votë e cila do t’ia konsideronte atij një pushtet më apsolut dhe i cili pushtet do ta bënte Kosovën më të dobët”, tha ai.
Tutje, ai thekson se Kurti është duke ndjekur një politik që ta përmbysë sistemin politik dhe rendin kushtetues që të vendos një kulturë autoritare në Kosovë, ku sipas tij kjo është e rrezikshme.
“Ai është duke ndjek një politik që ta përmbysë sistemin politik, që ta përmbysë rendin kushtetues, që ta vendos një kulturë autoritare në Kosovë e cila për mu është e rrezikshme. Prandaj këto zgjedhje janë sa për ta mbrojtë demokracinë e brendshme, sa për ta zhvillu Kosovën në rrafshin ekonomik por edhe për ti dhënë orientim vendit në dimensionin e jashtëm”, u shpreh ai.
Hoxhaj shtoi se qëllimet politike të Kurtit mbeten të njëjta, pavarësisht ndryshimeve në gjuhën që përdor, dhe se sjellja e tij nuk është vetëm e dëmshme, por edhe e rrezikshme për vendin.
“Edhe regjimet më totalitare më të egra i kanë pas disa situata historike kur dikush kaherë e ka përdorë një gjuhë të caktuar për ta zbutë klimën politike, por ky po bën përpjekje që ti adresonë disa prej pritjeve të një pjesë të elektoratit të tij të cilët kanë qenë kritik me sjelljen e tij. Unë nuk mendoj që nëse ka ndrru gjuha e zotit Kurti kanë ndrru qëllimet e tij politike, qëllimet e tij politike mbeten të njejta, qasja e tij politike është e njejtë, kultura e tij politike është e njejtë. Zoti Kurti me sjelljen e tij nuk është vetëm i dëmshëm, por Kurti me sjelljen e tij duke mos kriju institucione për një vitë është edhe i rrezikshëm për vendin”, përfundoi ai.

