Kandidati i LDK-së, Ekrem Hyseni, ka theksuar disponimin pozitiv të votuesve llapjanë ndaj programit të partisë për zgjedhjet e ardhshme.
Ai në një intervistë për Blic Interview, kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke e quajtur atë një mashtrim për shkak të skandaleve të nivelit të lartë korruptiv.
Sipas Hysenit, LDK ka ofruar një listë kandidatësh të kualifikuar dhe një program qeverisës të mbështetur nga ekspertë të fushave të ndryshme
“Ne, sot kur dalim në teren e gjejmë një disponim të votuesit llapjanë për programin tonë qeverisës. Është dëshmuar që qeverisja aktuale ka qenë mashtrim sepse ka pasë skandale korruptive të nivelit shumë të lartë. Ne mendojmë se e ofrojmë listën e kandidatëve për deputetë më të mirën me njerëz të kualifikuar, janë të dëshmuar edhe në kaluarën”, tha Hyseni.
“Përveç listës, e kemi një program që përbëhet prej ekspertëve dhe jam i sigurt që do të kemi mundësi që të diskutojmë me qytetarët për targetin e përmisimit të mirëqenies së tyre”, shtoi ai.
Ai theksoi se, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, LDK do të arrijë të bëjë një ndryshim të vërtetë në Llapi dhe të rifitojë besimin e qytetarëve.
“Rezultati i zgjedhjeve të fundit është nga më të ultit që i ka ndodhë LDK-së, por ky rezultat nuk përsëritet më. Ne jemi në teren dhe jemi të sigurt që do të jemi të parët në Llap si parti. Pasqyra kontraverse e asaj çka kanë thënë me atë se çka ka ndodhë, mendoj se qytetarët do të reflektojnë. Ne nuk duam të bëjmë polarizim apo ndarje, ne duam t’i bashkojmë forcat me gjithë ata që i besojnë programit tonë”, tha Hyseni.
Hyseni po ashtu kritikoi nivelin e ulët të rezultateve në arsim, referuar rendit të Kosovës në testin PISA, si dhe shpenzimet e larta që qytetarët bëjnë për shërbime shëndetësore jashtë vendit.
Ai premtoi se, nëse LDK vjen në pushtet, do të ofrojë një qasje që do të lehtësojë funksionimin e bizneseve dhe do të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve.
“Nuk na bën krenar rezultati i nxënësve tanë në PISA, as fluksi i njerzëve që ikin nga Kosova për të marrë shërbime shëndetore diku jashtë. Është shumë brengosëse edhe shuma e parave që shpenzohen nga xhepi i qytetarëve në drejtim të marrjes së këtyre shërbimeve”.
“LDK-ja do të ketë qasje që do ta lehtësojë funksionimin e bizneseve. Ato i dijnë vetë prioritetet që i duhen për t’u zhvilluar, ndërsa shteti duhet të jetë partnerë në lehtësimin e këtyre targeteve”, tha Hyseni.