• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Dardan Molliqaj: Albin Kurti e kontrollon ZRRE-në!

01/28/2022 20:53
nga:N M

Nesër me fillim në orën 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, Partia Socialdemokrate ka thirrur protestë për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për rritjen e çmimit të rrymës në vend.

Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së në një intervistë për “Blic Interview”, ka akuzuar direkt kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, bashkë me deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje si fajtor për tarifat e reja të rrymës, por edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Sipas tij, PSD është për ngritje te çmimit të energjisë elektrike, por jo në mënyrën se si ka propozuar ZRRE dhe është mbështetur nga qeveria dhe deputetët e VV-së.

“Protestën po e organizojmë kundër një vendimi të një institucioni që e kontrollon Albin Kurti e që është ZRRE. Kuvendin e kontrollon kryeministri Alibn Kurti, këtë bord të ZRRE e kanë zgjedh deputetët e z. Kurti dhe siç e dini zotimet që kanë ardh nga raporti i ZRRRE janë pranuar para se ai të dal në publik. Dhe nuk kemi nevojë të shtyhemi se këto nuk janë të koordinuara, ZRRE, Albin Kurti dhe shumica parlamentare- janë njëzëri që ta rrisin çmimin e energjisë elektrike në mënyrë enorme dhe të padrejtë ndaj shumë kategorive”, ka theksuar Molliqaj.

I pari i PSD-së tha se janë fuqishëm kundër këtij vendimi, raporton Gazeta Blic.

“Ne jemi kundër këtij vendimi të Albin Kurtit dhe besojmë që me protestën që do të mbahet, sa më i madh që do të jetë numri aq më i madh do të jetë efekti dhe rezultati, sepse ky do të tërhiqet dhe duhet të tërhiqet. Do të tërhiqet sepse ai është i rrethuar nga njerëz që kanë bindje të djathtë e ku barrën kanë vendosur t`ua vendosin një grupi shoqëror që është shumica në këtë vend edhe duke e subvencionuar, ata që janë të fortë, pra këta po i subvencionojnë bankat bizneset e mëdha, ndërsa po ja qesin barrën shtresës së mesme dhe shtresës së varfër”, ka thënë Molliqaj.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni LIVE në “Gazeta Blic”: