Albion Rrahmani ishte senzacioni i këtij edicioni në futbollin kosovar, pasi u shpall golashënuesi më i mirë dhe ishte në nivel gjatë gjithë vitit, ku me golat e tij e mbajti FC Ballkanin gjithmonë në garë për të arritur objektivat.
Rrahmani shprehet se fitimi i titullit kampion këtë vit me Ballkanin është një ndër momentet më të mira në karrierën e tij.
“Padyshim se është një nga momentet më të mira të të mijat, siç dihet tek këtë vit jam inkuadru më shumë në Superligë dhe ka qenë një edicion jashtëzakonisht i mirë për mua, me golat dhe asistimet që kam bërë kam ndihmuar ekipin rreth objektivit që kemi pas, patjetër që është shumë e vështirë me mbrojtë titullin kampion, sepse të gjitha skuadrat kundërshtare edhe luajnë më ndryshe kundër teje, edhe e kemi më problem pastaj vazhdimin e kampionatit dhe lojët në përgjithësi. E kemi meritu titullin kampion pasi jemi fut edhe në grupe të Conference Leagues, diçka që s’e ka bërë asnjë ekip shqiptar dhe në fund na u dha ky trofe që është edhe motiv shtesë që të punojmë më shumë dhe të mos ndalemi asnjëherë”, tha fillimisht Rrahmani për “Expose”, prodhim i ‘GazetaBlic’.
Rrahmani thotë se trajneri Daja ka ndikuar shumë në përmirësimin e tij.
“Patjetër që ka qenë një ndikim i madh për mua trajneri Ilir Daja, sepse më ka përkrah si në ndeshje, ashtu edhe në stërvitje, më ka fol shumë dhe siç dihet me përvojën e tij kam mësu shumë nga ai dhe shpresojë që kjo të më shërbejë në të ardhmen, vazhdoi Rrahmani.
Sulmuesi e konfirmoi se mund të largohet nga Ballkani këtë vit, por gjithmonë do jetë falënderues për klubin suharekas.
“Do jem shumë falënderues për klubin e Ballkanit, pasi është shtëpia ime e dytë, nuk e di ndoshta do të largohem këtë verë, por nuk i dihet të shohim, jemi duke punu. Do jetë shtëpia ime e dytë dhe do jem falënderues për gjithë jetën“, përfundoi Rrahmani.
/GazetaBlic Sport