Skuadra e Ballkanit ka fituar titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll për herë të dytë radhazi me trajnerin Ilir Daja.
Mesfushori i Ballkanit, Qendrim Zyba shprehet shumë i lumtur se e arriti këtë sukses me ekipin e vendlindjes së tij për herë të parë në karrierën e tij, shkruan GazetaBlic Sport.
Në një rrëfim për “Expose”, prodhim i ‘GazetaBlic’, Zyba thotë se për të është një ndjenjë tepër e mirë që të shpallet kampion me ekipin nga Suhareka.
“Unë e kam fillu me Ballkanin qysh i ri, në moshën shtatë, tetë vjeçare. Kam kalu gjitha grupmoshat dhe kam qenë deri në ekipin e parë, jam rritë me trajnerin e atëhershëm Aziz Kryeziu, kam punu me të gati shtatë vite, pastaj edhe me ekipin e parë kam debutu me Ballkanin, por veç një ndeshje dhe atëherë kushtet ishin të vështira që na kanë bë që disa prej futbollistëve të lëvizimim me ndonjë ekip tjetër. Për mua si futbollist dhe person i Suharekës është tepër ndjenjë e mire që të shpallesh kampion me qytetin tim dhe jam shumë i lumtur”, tha fillimisht 22 vjeçari.
Ballkani ka luajtur 54 ndeshje në këtë edicion dhe kjo ka qenë e lodhshme, megjithatë Zyba thotë se kjo s’ka rëndësi pasi ata e arritën sërish titullin që ishte qëllim i tyre.
“Me të vërtetë ne kemi bë shumë ndeshje, po aq shumë sa kemi qenë të lumtur them që nuk e kemi ndi lodhjen fare, sepse të luash në Evropë është një ndjenjë shpirtore aq e mirë, sa që s’di me ta përshkru çfarë kënaqësie e ka, për ne ka qenë mjaft e vështirë, sepse kemi pas shumë ndeshje të forta dhe Ballkani ka qenë edhe sezonin e kaluar kampion dhe ku të shkon kampioni respektohet më shumë, për ne ka qenë e vështirë, por edhe e mirë, sepse e arritëm titullin prap”, vazhdoi Zyba.
Kujtojmë se Ballkani është klubi i parë kosovar që ka marrë pjesë në grupet e Conference League, andaj Zyba rikthen emocionet e mëdha që kishin në ndeshjen e ‘Play Offit’ ndaj Shkupit, ku e përshkruan si një ndeshje shumë interesante për shkak edhe të tifozëve.
“Gjithë ndeshjet e kanë pas rëndësinë e vet, por edhe ndeshja me Shkupin atje ka qenë shumë emocionuese, sepse edhe “Xhebrailat” edhe tifozët e Shkupit, “Shvercerat” kanë qenë tjetër nivel dhe ka qenë emocionuese me lujtë atë ndeshje, sepse kanë këndu disa këngë që na kanë prek shumë gjithë futbollistëve, na kanë prek në lëkurë dhe muj me cek edhe fitoren në Sivasspor ku them se ishte një ndjenjë e madhe, unë për vete nga gëzimi s’kam ditë çka me bë, jam pi i gjithi, sepse të fitosh në atë stadium në minutat e fundit ka qenë diçka fenomenale” , zbuloi Zyba.
Mesfushori beson edhe sivjet Ballkani me pak fat në short mund të arrijë në grupe, pasi kanë potencial dhe tashmë kanë fituar eskperiencë.
“Po ne besojmë se kemi një ekip me shumë potencial brenda skuadrës, mendoj që duhet të përgatitemi sa më mirë, të marrim çdo ndeshje hap pas hapi dhe shpresojë të kemi një short më të lehtë dhe pse jo të përsërisim atë që kemi bë, por edhe diçka më shumë, sepse kemi shumë potencial brenda skuadrës”.
Në fund futbollisti kishte fjalë të mëdha edhe për trajnerin Ilir Daja, për të cilin tha se ka mësuar shumë prej tij dhe është kënaqësi të punosh me të.
“Unë them se është një super trajner, si stërvitje, si në kuptimin e lojës dhe si ta shpjegon është diçka e madhe, unë kam mësu shumë prej se jam aty qe gati 1 vit, kam mësu gjëra të reja që nuk i kam ditë përpara, për mu është kënaqësi të punosh dhe të mësosh çdo ditë e më shumë diçka, sepse jam i ri dhe pse të mos ‘vjedh’ shumë gjëra nga ai dhe një ditë të më duhen për arenën ndërkombëtare”, përfundoi Qëndrim Zyba.
/GazetaBlic Sport