• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Transformimi i Malishevës nga Ekrem Kastrati, projektet madhore që realizoi për 4 vjet në këtë komunë

10/04/2025 16:35
nga:G B

Pas çlirimit të Kosovës dhe lirimit të tij nga burgu, Ekrem Kastrati u përfshi në jetën politike. Në vitin 2021 u nominua nga Nisma Socialdemokrate për të udhëhequr Malishevën, me vizionin “Malisheva Urbane” – një koncept që synonte zhvillimin urban, planifikimin hapësinor dhe modernizimin e qytetit.

Sot, pas përfundimit të mandatit 4 vjeçar, ai thotë se premtimi i tyre është realizuar pothuajse në tërësi.

“Rrugëtimi im në politikë daton qysh në vitet e mëhershme pas kthimit nga burgu jam kyçur në strukturat politike të atëhershme, mirëpo në vitin 2021 kryesia e Nismës Socialdemokrate, dega në Malishevë më ka nominuar për kryetar të Malishevës. Prandaj si kandidat i atëhershëm kemi pasur programin tonë dhe si moto të fushatës kemi pasur Malisheva Urbane dhe ky nocion ka dalë në bazë të nevojave të qytetarëve të Malishevës për një qytet të së ardhmes, një qytet që do t’i viheshin bazat e së ardhmes së planifikimit hapësinor dhe planifikimit urbanistik si një domosdo e kohës, si një element që është dashur të instalohet në qytetin e Malishevës”, është shprehur ai.

“Prandaj, premtimi ynë për një Malishevë urbane është realizuar pothuajse në tërësi, i kemi edhe pjesët tjera që duhet të trajtohen në mënyrë urbanistike, në mënyrë që t’i motivojmë dhe të krijojmë kushte e t’i nxisim investimet nga jashtë që të ndërtohet qyteti. Prandaj kjo moto e jona për Malishevën është qëllim i arritur dhe tashmë qytetarët e kësaj komune po e shohin Malishevën si qytet të së ardhmes ku e ndërtojnë të ardhmen e familjes dhe fëmijëve të tyre. Unë jam shumë krenar për atë që kemi punuar bashkë me ekipin tim në të gjitha drejtimet, duke filluar nga lirimi i hapësirave publike që ka qenë ndër sfidat tona sepse Malisheva ka pasur devijim nga vijat gjeodezike, përkatësisht kadastrale dhe ka pasur objekte që janë shtrirë edhe në pronën komunale e me çka ne kemi intervenuar dhe kemi zgjeruar rrugët e kemi investuar në të gjithë pjesën ku kemi bërë lirimin e hapësirave publike”, ka thënë Kastrati.

Mandati i tij ka sjellë ndryshime të prekshme. Ai thotë se janë realizuar projekte të rëndësishme si ndërtimi i Sheshit të Dëshmorëve, nënkalimi i segmentit Kijevë-Autostradë, parkingu nëntokësor, Bulevardi “Afrim Mazreku”, si dhe investime në shëndetësi, arsim, sport dhe bujqësi.

“Tashmë Malisheva e ka sheshin e dëshmorëve multifunksional sepse ky do t’u nevojitet gjeneratave për zhvillimin e shumë aktiviteteve kulturore, promovuese por sigurisht edhe të rekreacionit apo shumë qëllime tjera. Mirëpo, në ndërkohë kemi ndërtuar edhe nënkalimin e segmentit Kijevë-autostradë që ka qenë segmenti më i ngarkuar që ka shkaktuar shumë trafik, ka qenë ngarkesë e paparë në komunikacion dhe me projektin e realizuar është lehtësuar, tashmë Malisheva ka nënkalimin e saj të parë dhe s’ka tollovi në trafik dhe të gjithë kanë komoditet në trafik dhe nuk humbin kohë dhe i kursejnë dhe shpenzimet. Në mes tjerash ky projekt ka përfshirë edhe ndërtimin e parkingjeve nëntokësore ku i kemi më shumë se 200 vende në parkingun nëntokësor ku afaristët kanë mundësi që të parkohen në këtë parking dhe t’i kryejnë shërbimet e veta. Jo vetëm bizneset por edhe qytetarët mund ta shfrytëzojnë. Këtë nevojë e kemi identifikuar nevojën për këtë parking dhe hapësira tjera siç është sheshi i dëshmorëve”, ka potencuar ai për Expose të Gazeta Blic.

Krahas investimeve për Malishevën urbane, kryetari i kësaj komune anash nuk i ka lënë as kategoritë sociale, teksa ka ndërtuar mbi 20 shtëpi për ta. Po ashtu ka investuar në bujqësi e blegtori, e ka subvencionuar prodhimin vendor.

“Në të njëjtën kohë ne kemi punuar edhe në pjesë tjera të qytetit, është Bulevardi Afrim Mazreku një rrugë e atëhershme që ka pasur shumë vërshime nga uji, kabllot e rrymës kanë qenë në një gjendje të tmerrshme dhe të gjitha këto i kemi rruguar dhe tashmë Malisheva e ka një pamje krejt të re të qytetit dhe sigurisht që kjo është pjesa e parë e projektit, ndërsa pjesa e dytë e projektit do të vazhdojë përgjatë shtratit të lumit Mirusha  me liqenin dhe pjesa rekreative me një shëtitore të jashtëzakonshme që do ta ketë Malisheva. Ne nuk jemi ndalur as me investime të tjera, në sport ku kemi ndërtuar stadiumin e KF Malisheva, por nuk e kemi lënë anash as shëndetësinë e as arsimin, sepse kemi investuar në QKMF kryesore, me aparatura për diagnostikimin e shumë sëmundjeve. Anash nuk e kemi lënë as shtresën sociale, ku kemi ndërtuar më shumë se 20 shtëpi për familje që s’kanë mundësi financiare, po ashtu kemi ndihmuar edhe fermerët me mekanizma bujqësorë, me sera, me hapje të puseve, blegtorinë me subvencionim të qumështit, i kemi përkrahur bletarët dhe të gjitha degët e bujqësisë në masë të madhe, me qëllim që bujqësia si element shumë i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik mos ta lëmë anash dhe që edhe bujqit tanë të kenë perspektivë me produktet e veta”, ka deklaruar Kastrati, kandidat i Nismës për kryetar të Malishevës./Gazeta Blic/