Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka përshkruar projektin e sheshit qendror si investimin më të madh urbanistik në historinë e këtij qyteti.
Ai për “Expose” prodhim i GazetaBlic përtheksoi rëndësinë e këtij projekti, si dhe interesin e jashtëzakonshëm që ai ka ngjallur në arenën ndërkombëtare.
“Sheshi qendror është projekti më i madh në historinë e urbanizmit në Rahovec dhe një ndër më të kushtueshmit,” tha Latifi, duke treguar se për dizajnimin e tij është shpallur një konkurs ndërkombëtar, në të cilin kanë marrë pjesë 84 studio arkitekture nga 37 shtete të ndryshme në pesë kontinente.
“Idenë më të mirë e ka propozuar një studio e arkitekturës nga Holanda, e cila u vlerësua nga juria profesionale,” shtoi ai, duke nënvizuar se kjo përzgjedhje tregon nivelin e lartë dhe cilësinë që do të ketë projekti.
Latifi bëri të ditur se ndërtimi i sheshit ka nisur dhe është parashikuar që të përfundojë deri në verën e vitit të ardhshëm.
Ai përshkroi sheshin si një hapësirë multifunksionale, që përfshin zona gjelbëruese, fontana, parkingje mbi dhe nën tokë, si dhe një qendër afariste-zejtare dhe një hotel park që do të ruajë karakterin dhe estetikën e zonës.
“Sheshi qendror po ia ndryshon pamjen qytetit dhe do të ketë një impakt shumë të fuqishëm pozitiv. Besojmë se kjo hapësirë do të jetë një nga më të bukurat në Kosovë, duke shërbyer si një pikë takimi dhe një qendër zhvillimi për Rahovecin,” theksoi Latifi.
Ai gjithashtu u shpreh optimist se projekti do të ndihmojë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe kulturor, duke sjellë më shumë jetë dhe energji në zemër të qytetit./GazetaBlic/


