• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Shtëpia e tij, sfidoi okupatorin serb – Mehmet Aliu: Jam krenar, vendimi im ndryshoi jetën e shumë nxënësve

01/25/2025 16:06
nga:G C

Shtëpia shkollë e familjes Hertica u bë një simbol i qëndresës dhe i guximit paqësor në vitin 1990, kur hapësirat e saj pranuan me krahë të hapur qindra nxënës dhe mësues, duke ofruar shpresë dhe dritë në një periudhë të errët.

Në një kohë kur autoritetet serbe nuk i lejonin nxënësit shqiptarë të hynin në shkolla, këto shtëpi u shndërruan në tempuj të dijes, ku rinia e angazhuar mund të vazhdonte shkollimin dhe të ëndërronte për një të ardhme më të ndritur.

Mehmet Aliu, rrëfen për dokumentarin Expose, se si erdhi deri tek ky vendim, sa i vështirë, aq edhe emocionues.

“Në momentin kur janë përzënë fëmijët prej shkollave, edhe ne si prind filluam të bëjmë protesta.Unë, këtë shtëpia e kisha përgatitur për banim, por e vendosa që ta lëshojë për gjimnazin “Sami Frashëri”. Drejtori gjatë asaj kohe më tha se a është apo jo rrezik që mësimi të mbahet në shtëpi, por unë e kisha mendjen e ndarë që të bëjë gjithçka që mësimi të realizohet”, tha Aliu.

“E gjithë familja imë ranë dakord ndaj këtij vendimi, teksa iu premtova që do ta bëjë edhe sigurimin këtë ku mbahet mësimi. Pastaj, u përhap lajmi që shtëpia ime po lëshohet për shkollë dhe erdhën disa mjekë që të bëjnë kërkesë që këtë shtëpi ta lëshojmë për spital, por ajo punë ishte e kryer, shtëpia do të lëshohej veç për shkollë”, shtoi ai.

Aliu tregon momentin kur forcat serbe e arrestuan, pasi kishin kuptuar që në shtëpinë e tij po mbahej mësimi në gjuhën shqipe.

“Ata kanë qenë katër policë civil, ne përmes zhurmës arritëm që t’i qarmatosim dhe pastaj erdhën forcat serbe. Ata dëshiruan të gjuanin, por frikësoheshin sepse mendonin që kjo shtëpi, e lëshuar për shkollë është e rrethuar dhe po mbrohej”, thotë ai.

“Unë vendosa që t’i dilja dhe të dorëzohesha, ata u lidhën me audo-lidhje me disa serbë të tjerë, ku iu thanë këtyre: “Nëse mundeni me marrë vetëm atë, merreni, nëse jo, tërhiquni. Unë, shkova në polici, qëndrova deri në 12 ora të mbrëmjes dhe pastaj përmes OSBE-së, u lirova”.

Krahas të gjitha këtyre vështirësive, Aliu thotë se nuk ka bërë aq shumë sa ka dashtë për nxënësit në atë kohë, teksa kujton me plotë mallëngjim nxënësit e asaj kohe, që sot e asaj dite janë mirënjohës për vendimin që ai kishte marrë.

Në fund, mesazhi i Aliut është që të rinjtë e të rejat të kenë vullnetin për mësime, ashtu siç kishin ata nxënës të asaj periudhe të errët, që po kalonte Kosova.

“Unë ndihem shumë i priviligjuar kur takohem me ata nxansa që kanë kryer mësim në shtëpinë time, në momentin që i shoh më duket si në ditët e para kur i kam parë. Jam shumë krenar, që më ka ardhë rasti ta marrë një vendim të tillë.Unë do të kisha dëshirë që atë interesim që nxënësit e kanë pasë në atë përiudhë, ta keni edhe tani”, përfundon ai.

Intervista e plotë: