• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Shala: Disa produkte kanë arritur rritje 100%, inflacioni po dëmton ekonominë

11 ditë më parë
nga:G C

Ferat Shala, kryetar i Komisionit për Ekonomi, ka bërë një vlerësim të mprehtë për situatën ekonomike të Kosovës, duke theksuar rritjen alarmante të çmimeve në periudhën e fundit.

Ai për “Expose”, prodhim i GazetaBlic, shtoi se ky fenomen është shenjë e një ekonomie të pa konsoliduar, ku inflacioni nuk ndalet dhe vazhdon të rritet çdo muaj.

“Nëse i shohim lëvizjet ekonomike dhe tregun e përgjithshëm, do të thotë që tek shumica e produkteve kemi rritje mbi 30%, sidomos në tre vitet e fundit, por ka produkte edhe që kanë shkuar në 100%. E gjitha kjo tregon që ne nuk kemi një ekonomi të konsoliduar dhe realisht shkalla e inflacionit për çdo muaj ka një indeks rritjeje të përhershëm”, tha Shala.

“Një nga politikat ekonomike shtetërore, të cilat nuk kanë qenë të favorshme për prodhuesin vendor, ku i tërë kapaciteti konsumues i Kosovës është varur nga lënda e parë, që është importuar. Në këtë aspekt, lëvizjet globale dhe lufta në Ukrainë kanë ndikuar që importet të kenë çmime më të larta. Tani, kryesisht kemi një ekonomi importuese. Tremujori i parë i këtij viti tregon që ne kemi një rritje enorme, diku mbi 13%, krahasuar me vitin paraprak”, shtoi ai.

Shala tha se Kosova është në një pozitë pafavorshme ekonomike, sipas tij, vendi ka nevojë për një qeveri stabile që bashkëpunon me institucionet evropiane.

“Kosova është në një pozitë të pafavorshme ekonomike, sepse nuk ka qartësi për hapat e ardhshëm ekonomikë. Mosgatishmëria për t’u ballafaquar me realitetin ka bërë që këta faktorë të jenë ndikues në situatën ekonomike të vendit. Na duhet një qeveri stabile që bashkëpunon me institucionet evropiane dhe të bëjë politika që heqin sanksionet e vendit”, tha Shala për “Expose”, prodhim i GazetaBlic.