Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, vlerëson se sektori i energjisë është sektori më i korruptuar dhe me më së shumti skandale në qeverisjen e Kurtit.
“Ky është sektori më i korruptuar dhe me më së shumti skandale në katër vitet e qeverisjes së Kurtit dhe që po vazhdon me të njëjtin ritëm. Dy agjensitë e pavarura KEK dhe KEDS, KOSTT, kanë treguar performancë të dobët në atë që ka qenë pritshmëri e qytetarit, sidomos reflektimi mbi tregun energjetik që qytetarët e Kosovës do të duhej të përfitonin ulje të çmimit të energjisë elektrike e jo rritje, ashtu siç ka qenë në vazhdimësi. Keqpërdorimi tjetër është me Korporatën Energjetike të Kosovës, ku nuk ka pasur investime të duhura, edhe atëherë kur u proklamuan investimet, ishin korruptive, gjë që ka edhe aktakuza tash në fuqi të cilat presin edhe verdiktin e gjyqësorit, mos të flasim për tenderomani, shitje dhe blerje të energjisë elektrike, ku ka dhe kompani fantome pothuajse fiktive të regjistruara në Kosovë dhe me miliona e miliona fitim nga taksat e qytetarëve të Kosovës”, tha ai për Expose.
Zemaj është shprehur kritik për mos përfshirjen e veriut në rritjen e çmimit të rrymës, derisa thotë se qytetarët e veriut po amnistohen.
“Pa përjashtuar edhe mashtrimin që po ndodh në katër komunat veriore, ku u theksua se atje do të vendoset rendi dhe ligji ne kemi një pasqyrë tjetër reale që tash qytetarët e Kosovës përballen me rritjen e tretë gjatë këtyre viteve të fundit, që është në përqindje shumë të lartë, ndërsa kjo rritja e fundit është tepër e rënduar në buxhetin e varfër të qytetarëve të Kosovës. Ndërsa komunat veriore amnistohen nga kjo rritje dhe amnistohen edhe nga pagesa që po ndodhë në vazhdimësi, ku akoma paguhen nga buxheti i shtetit”, thekson ai.
Sipas tij, kjo vjen si pasojë e mafias energjetike dhe ku preket interesi i tyre, nuk ka shtrirje të sovranitetit.
“Është pjesë e asaj që ne e quajmë mafia energjetike, d.m.th aty ku preket interesi financiar i tyre, aty nuk ka shtrirje të sovranitetit dhe kjo është evidente dhe nuk ka as dyshime në këtë pjesë, sepse i kemi parë kompanitë të cilat financohen qendrën e kanë në Beograd, edhe ajo që ishte me Martin Berishajn, por edhe tani me kompanitë tjera, andaj nuk ka reflektim pozitiv fatkeqësisht, është barrë e shtuar për xhepin e qytetarëve të Kosovës dhe për ekonominë vendore, sepse kur kemi rritje të çmimit të energjisë në formën e pakontrolluar, atëherë kemi edhe rritje të inflacionit por edhe rritje të çmimeve të gjërave ushqimore bazike, e mos të flasim për prodhimtari e gjëra tjera elementare”, vlerëson deputeti.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, kërkon hetim për aferat korruptive në sektorin e energjisë.
“Nuk ka ditë që nuk ka ankesa për rritjen e çmimeve në Kosovë, nuk ka ditë që njerëzit nuk përballen me pagesa të larta të energjisë elektrike, shpeshherë edhe të dyshimta, të pakontrolluara, sepse bordi nuk është i interesuar që t’i kontrollojë, as i njërës palë e as i tjetrës, më shumë është i interesuar për benefitet tjera dhe për atë që e quajta në fillim, afera të mëdha korruptive që besoj duhet të hetohen në vazhdimësi dhe të kemi gjykimin e prokurorisë, pse jo edhe të gjykatës për të gjithë ata që i kanë futur duart thellë në xhepin e varfër të qytetarëve”, thekson ai.
Zemaj mendon se VV e Kurti kanë thënë gjithçka dhe kanë vepruar ndryshe.
“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje ka thënë gjithçka, ndërsa kanë vepruar gjithçka ndryshe. Ajo gjithçka ka reflektuar në zhvillimin ekonomik dhe të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”, deklaron deputeti Armend Zemaj./Gazeta Blic/


