Lajme

Rritja e pagave/ Hoti kritikon Qeverinë: Është joligjore, s’ka logjikë ndërrimi i një ligji me një ligj tjetër

11/08/2024 21:32
nga:G B

Avdullah Hoti, deputet i LDK-së, ish kryeministër i Kosovës, në Blic Interview me Astrit Gashin, ka folur dhe për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave nga janari 2025.

Ai tha se kjo që ka bërë qeveria nuk është ligjore, pasi s’ka logjikë të interferohet në një ligj, me një ligj tjetër.

“Po ndalem fillimisht te aspekti ligjor sepse ka pasur keqkuptime dhe keqinformime të qytetarëve lidhur me këtë. Në disa qeveri, edhe unë kur kam qenë kryeministër, me ministrin e financave të atëhershëm kemi punuar në draftimin e ligjit të pagave. Ideja e atij ligji ishte që të vendosej struktura hirearkike e pagave në sektorin publik sipas shtyllave, administratë, arsim, shëndetësi, mbrojtje, polici, etj., të vendosen kufijtë maksimal dhe minimal dhe shkallët e pagave sipas pozitave dhe të përcaktohen me ligj të pagave dhe ai ligj të mbetet i pandryshueshëm ndërsa ligji i buxhetit ta përcaktojë vlerën në euro të koeficientit. Çka kanë bërë këta, në ligjin e buxhetit kanë bërë gabime, tani që e kanë dërguar në Kuvend, kanë fut një nen në ligjin e buxhetit dhe e kanë ndërruar nivelin e koeficientit, e kanë rritur koeficientin 0.5 njësi, që nuk ka asnjë logjikë, sepse ideja e ligjit të pagave është që ai të mbetet aty, përmes tij të përcaktohet hierarkia e pagave dhe mandej vlerën në euro e përcakton me ligje tjera, këta me ligjin e buxhetit kanë interferuar në një ligj tjetër”, shprehet ai.

Hoti thekson se s’ka logjikë që të rritet koeficienti me njësi.

“Të gjithë koeficientët rriten me 0.5 njësi. Tash më thuaj mua çfarë logjike ka kjo punë. S’ka asnjë logjikë. Nganjëherë është problem të kuptohet logjika elementare e këtyre njerëzve, nuk kanë asnjë orientim të qartë. Ka tash e 3 vjet që kur ka filluar të rritet inflacioni kemi bërë presion që të indeksohen pagat, asistencat sociale, pensionet, ndihmat e tjera që jep shteti për kategoritë e ndryshme. 3 vjet nuk ka asnjë rritje në pagë, me përjashtim të atij ligjit që i rrit pagat për 6.8 euro edhe tash në fund të mandatit, prapë nuk e rritë vlerën e koeficientit në euro por e prek nivelin e koeficientit, pra edhe atë strukturë që është ndërtuar e pagave në sektorin publik, edhe atë e shtrembëron”, thekson deputeti i LDK-së.

“Për secilin niveli i koeficientit rritet me 0.5 njësi, duke qenë se vlera e koeficientit është 110, i bie që paga rritet për 55 euro, secilit pa përjashtim”.

Hoti thotë se ligji i pagave është sistematik dhe s’mund të ndërrohet në këtë mënyrë, por përmes rregullores.

“Atë desha të them, më së pari nuk është e ligjshme, nuk mundesh me një ligj tjetër, ta ndërrosh një ligj tjetër, plus që ligji i pagave është ligj bazik, sistematik. Nëse dëshiron ta ndryshosh ligjin e pagave duhesh të nisësh siç thotë rregullorja”, potencon ai.

Deputeti thekson se nuk është vetëm ky ndryshim në ligj, por është ndryshuar dhe tatimi në pronë që është trefishuar dhe hyn në fuqi nga janari 2025.

“Nuk është vetëm ky ndryshim. Është dhe trefishimi i tatimit në pronë, kryesisht për biznese, për pronat me vlerë të madhe, me ligjin që është miratuar vitin e kaluar. Nga 1 janari 2025, hyn në fuqi norma progresive e tatimit në pronë. Pronat sipas vlerës, sa më e madhe vlera, aq më e madhe tatimi. Nëse shkon kah Veterniku, Ruga B, pronat janë në vlera të mëdha, 1 milionë, 2, 5, 10 milionë, sa të thuash, këtyre u trefishohet tatimi në pronë. Nuk nuk ka logjikë elementare për arsyen e thjeshtë sepse ti kur e blen një pronë e blen me mjetet tua për të cilat ke paguar tatim në të ardhura ose tatim në fitim”, deklaron ai.

Se pse e ka bërë këtë Qeveria, Hoti thotë se s’ka asnjë sqarim.

“Nuk ka asnjë sqarim sepse nuk ka asnjë konsultim. Edhe organizatat ndërkombëtare kanë thënë se kjo nuk është bërë në konsultim me bizneset as me askënd”, shton ai.

Por, ai thotë se për shkak të zgjedhjeve e kanë bërë që vendimi të hyjë në fuqi nga viti 2025, teksa shton se LDK i mbështet nëse duan ndryshim të ligjit për tatim në pronë.

“Atë nen e kanë fut dhe e kanë bërë që të futet në fuqi në vitin 2025 sepse janë zgjedhjet. As amateri, as personi që nuk ka ide në këto punë nuk bën kështu. Kjo është qasje tejet joserioze. Nëse duan ta ndërrojnë ligjin për tatimin në pronë, unë i garantoj që e kanë mbështetjen tonë të plotë, le ta sjellin atë ligj, ashtu siç e kemi kundërshtuar kur është miratuar, tani i japim votën për ta ndërruar atë nen, për ta kthyer ashtu siç ka qenë por jo në këtë formë sepse është joligjore, me një ligj me i ndërru dy ligje tjera dhe këtë për motive elektorale, në fushatë”, deklaron deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti./Gazeta Blic/