• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Qeveria na i mori 4 milionë euro”/ Kryetari i Malishevës flet për sfidat dhe mungesën e përkrahjes nga niveli qendror

10/05/2025 15:59
nga:G B

Mandati i Ekrem Kastratit si kryetar i Malishevës është përcjellë dhe me sfida. Ndër të tjera, mungesa e përkrahjes nga qeveria e Kosovës. Edhe pse buxheti i komunës ka qenë i kufizuar dhe përkrahja nga niveli qendror minimal, Kastrati dhe ekipi i tij kanë arritur të përmbushin pjesën më të madhe të programit.

“Kemi edhe shumë projekte që do t’i realizojmë mandatit të ardhshëm, të gjitha këto që s’kemi pasur mundësi t’i realizojmë në këto 4 vite për shkak të pamundësisë buxhetore dhe pa ndonjë ndihmë konkrete nga institucionet qendrore, ne me forcat tona jemi munduar që të avancojmë në të gjitha drejtimet”, ka thënë ai për Expose të Gazeta Blic.

Ai ka përmendur sfidë kryesore lirimin e hapësirave publike e më pas dhe mungesën e përkrahjes nga niveli qendror.

“Njëra prej sfidave të mëdha ka qenë lirimi i hapësirave publike, ku kemi dashur që t’i zgjerojmë rrugët, që t’i lirojmë hapësira publike, sfidë tjetër ka qenë buxheti simbolik i Komunës së Malishevës dhe ambiciet e kërkesat e qytetarëve dhe tonat kanë qenë shumë më të mëdha dhe kjo ka qenë sfidë, mirëpo sfidë tjetër ka qenë edhe mospërkrahja e nivelit qendror ndaj projekteve tona madhore si zgjidhja e problemit të ujit të pijes, problemi me energji elektrike, projekte që do t’i realizojmë me qëllim që këto dy elemente të realizohen sa më shpejt që është e mundur”, ka theksuar Kastrati.

Ai përmend se shumë projekte nuk kanë mundur t’i realizojnë për shkak të mungesës së buxhetit, për të cilat niveli qendror ka refuzuar të ndihmojë. Megjithatë, përkundër këtyre sfidave, Kastrati thotë se janë përmbushur detyrimet ligjore dhe janë krijuar kushtet për një qytet modern.

“Ne i jemi drejtuar qeverisë qendrore me disa projekte që të na ndihmojnë por s’kanë pasur gatishmëri që të na ndihmojnë me ujë të pijes nga sistemi i Radoniqit por as me ndërtimin e stacionit prej 200 voltëve këtu në Malishevë, as s’kemi gjetur përkrahje për ndërtimin e qarkores së Malishevës e shumë projekte tjera që na është dashur përkrahja e qeverisë sepse janë projekte të cilat kushtojnë shumë dhe gjithsesi nga duhet përkrahje nga qeveria qendrore. Sfidë tjetër ka qenë edhe përmbushja e obligimeve që kanë dalë nga kontrata kolektive ku ne kemi pasur një vështirësi të madhe në përmbushjen e obligimeve pasi gjatë këtyre 4 viteve na janë marrë diku 4 milionë euro, shumë e cila ka qenë e papërballueshme për nivelin e komunës siç është Malisheva, megjithatë ne jemi mundur që t’i përmbushim këto obligime që kanë dalë nga kontrata kolektive mirëpo edhe na ligjet tjera që i ka aprovuar Parlamenti i Kosovës dhe që na kanë mbetur neve komunave që t’i realizojmë ato detyrime që kanë qenë shuma të mëdha dhe kemi pritur nga qeveria që të na i rimbursojë ato dhe t’i realizojmë projektet e nisura. Nga vet fakti që kemi kryer këto detyrime, kemi ndërprerë shumë projekte nëpër fshatra që do t’i realizojmë në të ardhmen”, ka deklaruar ai./Gazeta Blic/