Në një analizë të fundit, analisti politik Arbnor Sadiku ka theksuar se PDK-ja, deri tani, nuk ka shprehur një qëndrim të qartë kundër koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, por as nuk është angazhuar për koalicion me opozitën. Sipas Sadikut, si parti e dytë, PDK-së i konvenon një koalicion me opozitën, duke marrë parasysh se është partia udhëheqëse në formimin e qeverisë.
Sadiku për “Expose” prodhim i GazetaBlic gjithashtu ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka një qëndrim të qartë për të mbetur në opozitë, duke konsideruar se nuk i konvenon asnjë opsion tjetër. Megjithatë, ai ka shtuar se mund të ketë ndryshime në qëndrimin e LDK-së nëse ka presion ndërkombëtar që opozita të krijojë qeverinë për të shmangur një krizë politike.
“PDK-ja, sipas deklaratave të deritanishme, ka thënë se nuk janë kundër koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, por as nuk kanë thënë që janë kundër koalicionit me opozitën. Sipas rezultateve, si parti e dytë, do t’i konvenonte një koalicion me opozitën, pasi janë partia udhëheqëse në rrethanat e krijimit të qeverisë. Lidhja Demokratike ka qëndrim të qartë për të qëndruar në opozitë dhe nuk u konvenon asnjë opsion tjetër”, thotë Sadiku.
“Por, nëse ka presion ndërkombëtar që opozita të krijojë qeverinë për të shmangur krizën, ndoshta edhe Lidhja Demokratike mund ta ndryshojë qëndrimin në momentin e fundit. Megjithatë, është ende herët të flitet me siguri, pasi ende nuk kemi grumbulluar votat e diasporës, dhe këto janë vetëm rezultate preliminare. Ndryshimet janë të mundshme, dhe liderët e partive mund të shprehin opinionet e tyre përfundimtare për mundësinë e krijimit të një qeverie të opozitës ose për të hyrë në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje”, shtoi ai.
Një tjetër çështje që është prekur nga Sadiku është mundësia që Lëvizja Vetëvendosje të formojë një qeveri të vetme. Sipas tij, kjo është e pamundur, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me Listën Serbe. Pavarësisht se mund të marrë një numër të konsiderueshëm votash nga diaspora, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë vështirësi në krijimin e një qeverie të vetme, pasi edhe partitë si PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë mbështetje të konsiderueshme.
Sadiku ka përmendur se koalicioni më i mundshëm është mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, ose mund të formohet një koalicion i opozitës, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje mund të mbetet në opozitë.
“Nga ajo që kemi parë deri tani, kjo është e pamundur. Edhe sikur të merrte shumicën e votave nga diaspora, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me Listën Serbe. Kështu, mund të krijohet vetëm një qeveri me pakicat, por kjo është e pamundur pa një marrëveshje me partitë tjera. Me votat e diasporës, Lëvizja Vetëvendosje mund të marrë një numër të konsiderueshëm, por jo të gjitha votat. PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë gjithashtu mbështetje të konsiderueshme. Për këtë arsye, Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë të pamundur të krijojë një qeveri të vetme. Koalicioni më i mundshëm është mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ose një koalicion i opozitës, ku Lëvizja Vetëvendosje mbetet në opozitë. Nëse nuk ka koalicion, mund të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare, që mund të krijojnë një krizë politike”, shtoi ai.