• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Paralajmëron Aliu: Edhe Dragashi dhe Klina, komunat që PDK do të dalë fituese në zgjedhjet e 12 tetorit

09/28/2025 11:08
nga:N K

Kryetari i Ferizajt dhe kandidati i PDK-së për mandatin e ardhshëm si kryetar i kësaj komune, Agim Aliu, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është duke kaluar një transformim të brendshëm, duke i dhënë hapësirë gjeneratës së re, raporton GazetaBlic.

Sipas tij, kjo qasje është dëshmi e vizionit të ri që po ofron PDK-ja në skenën politike.

“Kandidaturat e Partisë Demokratike janë tashmë të dëshmuara në punën dhe angazhimin, por edhe figurat e reja që janë kandidatura tashmë po e dëshmojnë çdo ditë përmes punës dhe programeve të tyre që është një transformim brenda Partisë Demokratike. Por është edhe një lloj dorëzimi politik në gjeneratën tjetër sepse ne duhet të punojmë të mos mbesim gjithmonë kryetar pavarësisht fitoreve që mund të arrijmë, sepse duhet të hapim krahun për gjeneratën e re”, ka thënë Aliu.

Aliu theksoi se edhe ai vetë ka ardhur në skenën politike nga Rinia Demokratike e Kosovës, duke shtuar se është jetike që të mbështeten figura të reja që përfaqësojnë vizion dhe mendësi të re.

“Partia Demokratike e Kosovës pikërisht përmes disa kandidaturave në disa komuna në Kosovë ka bërë shumë mirë që e ka hapur krahun për gjeneratën e re dhe fjala po bie në Kaçanik, në Mitrovicë janë kandidatura të reja. Edhe unë dikur kam ardhur nga strukturat e Rinisë Demokratike të Kosovës dhe kjo flet mirë sepse duhet vërtetë në përgjithësi të mbështesim njerëz që përfaqësojnë vizion të ri dhe mendësinë e gjeneratës së re, sepse kemi nevojë për këtë transformim në gjithë Republikën e Kosovës”, ka thënë tutje Aliu.

Lidhur me pritjet për zgjedhjet lokale, Aliu u shpreh se kandidatët e PDK-së në komunat ku kjo parti është tashmë në qeverisje, do të përformojnë mirë dhe janë favorit për fitore.

“Së pari në komunat që kemi qeverisë, kandidatët që kemi zgjedhur do të performojnë mirë dhe po besoj që do jenë fitues të garës sepse puna, vizioni dhe programi i tyre do bëjnë që të fitohet. Por, potencialisht shoh së paku edhe dy komuna që mund të fitohen në bazë të asaj që e kam si njohuri. Dragashi mund të jetë një prej komunave të reja ku PDK fiton dhe komuna tjetër do jetë Klina”, është deklaruar ai.

Ai foli edhe për zgjedhjet nacionale, të cilat sipas tij pritet të jenë afër, duke theksuar se vendi ka nevojë për një qeveri funksionale që miraton buxhet dhe shtyn përpara projektet.

“Njëherë kemi zgjedhjet lokale, por si duket edhe nacionalet i kemi afër dhe sigurisht që do bëhemi gati edhe për zgjedhjet nacionale sepse besoj se duhet t’i japim një epilog. Sepse jemi duke paguar kosto kur po flasim për projektet, e shohim që kemi ngecur në dinamikë pikërisht për shkakun që nuk ka buxhet të miratuar dhe nuk mund të kemi as në të ardhmen buxhet të miratuar për arsye se nuk kemi qeveri formale, por kemi qeveri në detyrë. Dashtë Zoti që zgjedhjet e ardhshme të sjellin një qeveri që është formale dhe që kryen punët dhe angazhimet e saja”, potencoi kryetari aktual i Ferizajt.

I pyetur për mundësitë e një bashkëqeverisjeje VV–PDK, Aliu u shpreh se kjo mbetet në dorën e rezultatit zgjedhor.

“Nuk e di, është një epilog që e prodhon rezultati zgjedhor. Sepse zgjedhjet e radhës nuk janë zgjedhje vetëm për qeveri, por janë zgjedhje edhe për President dhe prandaj duhet parë numrat dhe konstelacioni i forcave që mund të bashkohen për të bërë zgjidhjen edhe të Qeverisë edhe të Presidentit”, përfundoi Agim Aliu.