Ish-diplomati Avni Arifi ka komentuar për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë, duke theksuar se për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, mbështetja kryesore po vjen nga diaspora.
Sipas Arifit, në vitin 2020 Kosova kishte nevojë për ndryshim për shkak të tranzicionit të gjatë, korrupsionit dhe nepotizmit, dhe atëherë Kurti kishte sjellë një “pikturë ndryshimi” që tërhoqi qytetarët.
Megjithatë, pas pesë vitesh, Arifi vlerëson se ndryshimi ka qenë kryesisht negativ dhe jeta e qytetarëve është vështirësuar. Ai thekson se diaspora ende ndjek me besim propagandën e Kurtit, e cila sipas tij është përdorur për të kompensuar humbjet brenda Kosovës.
“Është sepse në vitin 2020 Kosova ka pasur nevojë për ndryshim, për shkak të tranzicionit të gjatë, korrupsionit që ka ekzistuar dhe nepotizmit. Edhe njerëzit që kanë qenë pjesë e subjekteve të tjera kanë dashur të ndryshojnë diçka, dhe ka qenë një moment kur Albin Kurti ishte i gatshëm, ka qenë aty dhe e ka sjellë atë pikturën e ndryshimit. Tash kanë kaluar 5 vite, Kosova e ka parë që ndryshimi ka qenë kryesisht negativ. Jeta e qytetarëve nuk është përmirësuar, është vështirësuar shumë. Kurse në diasporë ende jeton fryma e ndryshimit, ende i besojnë propagandës së Kurtit”, tha Arifi.
Ish-diplomati shpreh shqetësim për keqpërdorimin e mundshëm të votës së diasporës, duke kujtuar praktikat nga zgjedhjet e kaluara, ku votat u mblodhën masivisht përmes procedurave të thjeshta në ambasada.
“Çka unë frikësohem është se do të ketë abuzim me votë të diasporës. Ka pas edhe herën e kaluar, dhe jam i befasuar me neglizhencën e partive ish-opozitare, që nuk kanë reaguar ndaj një vote masive që sipas bindjes time u keqpërdor nëpër ambasada dhe mënyrën e votimit. Do të thotë, vetëm u kanë kërkuar letërnjoftimin njerëzve në diasporë dhe kanë votuar për ta, që është vjedhje e votës, jo votim. Dhe duket se në këto zgjedhje do të kemi shumë më shumë situata të ngjashme dhe më masive, ku me çdo kusht do të tentohet të keqpërdoret vullneti qytetar”, tha Arifi për “Expose”, prodhim i GazetaBlic.
Emisioni i plotë:


