Avokati Skender Musa ka theksuar se numri i vrasjeve ka arritur nivele alarmante, duke shënuar një rekord të frikshëm që nuk është parë më parë.
Ai për “Expose” prodhim i GazetaBlic, kërkoi fushata të ngjashme me “Festo pa armë”, që ka dhënë rezultate, dhe bashkëpunim të ngushtë mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Arsimit.
“Numri i vrasjeve është shtuar dhe është një numër rekord që nuk ka ndodhur më herët. Duhet të ketë fushata nga Ministria e Punëve të Brendshme, siç ka qenë ajo që ka pasur rezultat, ‘Festo pa armë’. Duhet të ketë bashkëpunim edhe mes Ministrisë së Arsimit, pasi po i dëgjoj shumë që po thonë se duhet të veprojnë Gjykatat dhe Prokuroritë, këto të fundit nuk bëjnë fushata, por merren me pasojat që shkaktohen nga këto krime.”
Ai gjithashtu nënvizoi se ka rënë roli i familjes si qeliza bazë e shoqërisë dhe se institucioneve të arsimit dhe qeverisë u mungon një strategji e qartë për të luftuar këtë fenomen. Sipas tij, vrasjet janë një problem që ka ekzistuar edhe para luftës, por vitet e fundit, sidomos në 2025, ato janë intensifikuar. Avokati kërkoi një angazhim të qeverisë për të krijuar strategji sensibilizuese dhe fushata kundër vrasjeve dhe mbajtjes së armëve pa leje, pasi ato janë shpesh të lidhura me veprime të dhunshme.
“Kanë dështuar hallkat shtetërore në përgjithësi, prej institucioneve të familjes, sepse është e papranueshme që të kemi vrasje të të rinjve, pra familja duhet të kujdeset si qeliza e parë e shoqërisë. Pastaj ka dështuar edhe aspekti i arsimit dhe institucionet qeveritare që nuk kanë ndërtuar një strategji se si të dilet nga fenomeni i vrasjeve.”
“Fenomenin e vrasjeve, shqiptarët e kanë pasur edhe para luftës, por kohëve të fundit është rritur, sidomos në vitin 2025 kemi hyrë me vepra jashtëzakonisht të ndjeshme. Secila qeveri që formohet duhet ta bëjë një strategji në mënyrë që ta sensibilizojë opinionin publik dhe të sponsorizojë ndonjë fushatë kundër vrasjeve dhe kundër mbajtjes së armëve pa leje, sepse shumicën e rasteve ndodh që ata persona që mbajnë armë pa leje, janë në gjendje të kryejnë edhe vepra penale të vrasjes.”
Skender Musa tha se, përkundër faktit se dënimet janë të rënda, nuk po kryhen veprime që njerëzit të vetëdijesohen.
“Sa i përket shqiptimit të dënimeve, Kosova shqipton sanksione jashtëzakonisht të mëdha për veprat penale të vrasjes me qëllim që të arrihet efekti prapa veprues, por përkundër faktit që janë shqiptuar dënime të përjetshme, suksesi po shihet që mungon. Pra, ka nevojë që diçka tjetër të merret dhe jo të mendohet se kjo çështje të zgjidhet vetëm përmes dënimit.”