Kosova tashmë ka hyrë në një valë të migrimit masiv të qytetarëve, i cili rrezikon zbrazjen e vendit nga rinia dhe fuqia punëtore.
Bazuar në të dhënat e Ambasadës së Gjermanisë, mbi 48 mijë qytetarë kanë aplikuar për viza punë në këtë shtet vetëm për muajin janar, ndërkohë që edhe në dhjetor të vitit të kaluar mbi 56 mijë të tjerë kishin bërë të njëjtin veprim.
Por nga këto mijëra aplikime, në mënyrë kompjuterike përzgjedhen përafërsisht 450 termine në muaj.
“Nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit janë përzgjidhur ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm. Secilin muaj jepen proporcionalisht aq termine, ashtu që në fund të vitit arrihet kontingjenti prej më së shumti 5.500 vizave që eventualisht mund të lëshohen për këtë kategori”, thuhet tutje në përgjigjen e ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, raporton Gazeta Blic.