• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Limaj në Kleçkë- Këtu s’ka patur ndërpreje të luftimeve, prej maj të 98 e deri në ditën e çlirimit, u thye izolimi total i Drenicës!

05/31/2024 21:42
nga:Y I

I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gashin është ish-komandati i UÇK-së njeherësh kryetar i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Limaj tregon me detaje rreth historisë së Kleçkës, luftimeve që janë zhvilluar dhe si kjo pjesë bëri thyerjen e izolimit të Drenicës.

“Së pari ne këtu jemi në ‘Bjeshkët e Berishës’, në krahun e majtë tonin është koridori ‘Prishtinë-Pejë’ e njohur nëse ju kujtohet ‘Beteja e Llapushnikut’ që është arteria kryesore që e lidh Fushën e Kosovës me Dukagjinin. Në pjesën e djathtë është ‘Gryka e Carralevës’ korider që e lidh Prishtinën me Prizrenin. Dhe këto dy koridore kjo Brigadë i ka këputur, i ka ndërprerë komunikimin. Forcat serbe nuk kanë mundur të depërtojnë, ka ardhur një moment ku forcat serbe kanë depërtu vetëm nëpër Brezovicë ose kohë pas kohe nga Mitrovica për Istog megjithatë edhe atje djemtë tanë e kanë bllokuar. Kështu që këtu praktikisht ka qenë bllokimi total i arterive të furnizimit të ushtrisë serbe. Ne këtu përveç se kemi bërë thyerjen e izolimit të Drenicës, sepse Drenica historikisht kur është bërë lufta ka qenë e izoluar, këtu është thyer izolimi total i Drenicës. Lufta e komandatit legjendar dhe shokëve në Drenicë, praktikisht, me fillimin e luftimeve këtu e ka hapur izolimin e Drenicës dhe ka zgjeru luftën anekënd Kosovës. E dyta marrja e ‘Grykës së Llapushnikut’ ia ka lehtësuar punën zonës së Dukagjinit, zotit Haradinaj me shokë atje. ‘Gryka e Llapushniku’ nga maji deri në fund të korrikut e kemi mbajt, levizja e njerzve dhe ushtarëve dhe furnizimeve bëhet më e lirë, prej ushqimeve deri tek armatimet. Lufta jonë merr përmasa ashtu siç duhet, nacionale, jo më lokale. Ndërsa kjo pjesa tjetër këtej ka qenë gjithë kohës e bllokuar. ‘Qafën e Dules’ asnjëherë forcat serbe se kanë patur të sigurtë, deri në fund të luftës”

Ai na tregon se në atë pjesë s’ka patur ndërpreje të luftimeve, prej maj të 98 e deri në ditën e çlirimit .

“Këtu kanë qëndruar në këtë Grykë, në të dy anët, nga ana e Malishevës dhe në pjesën tjetër nga ana e Drenasit, Shtimes dhe Lipjanit, sepse këtu ku jemi ne praktikisht këtu bashkohet komuna e Drenasit, Malishevës, Shtimes, Lipjanit dhe Suharekës. Malet e Berishës është vija ndarëse e Dukagjinit me Fushën e Kosovës. Në këtë zonë kanë qenë diku 85 mijë banorë civilë të strehuar në dy anët. Këtu asnjëherë s’ka patur ndërpreje të luftimeve, prej maj të 98 e deri në ditën e çlirimit këtu vazhdimisht ka patur luftime, deri në ditën kur është futur NATO. Në fund NATO këtu ka zbarkuar. Këtu ka qenë Shtabi i Përgjithshëm, është zgjedhur të jetë këtu sepse ne jemi në qendër të Kosovës, pika më strategjike. Përveç Shtabit të Përgjithshëm këtu ka qenë Radio Kosova e Lirë, Kosova Press dhe dikur vonë institucionet e përkohshme. Komunikimin me ndërkombëtarë e kemi pas në këtë zonë. Korriku i 98 ka qenë një situatë e jashtëzakonshme, këtu s’ke patur ku ec nga njerzit , s’ka patur mundësi me lëviz nga popullata civile kur ishte ofensiva e verës” tregoi Limaj në rrëfimin e tij dhënë për Blic Interview raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/