Arben Gashi, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me numër 14 ka qenë i ftuari i radhës në BlicInterview me Astrit Gashin, prodhim i GazetaBlic.
Gashi gjatë kësaj interviste foli për shumë tema, kështu duke përfshirë edhe deklaratën e kryeministrit aktual Albin Kurti, i cili gjatë një tubimi zgjedhor përdori një gjuhë ndryshe ndaj dy subjekteve opozitare (LDK, PDK).
Në fjalimin e tij, Kurti bëri edhe një krahasim duke e cilësuar Lidhjen Demokratike si ‘’mizë’’.
“S’ka se si të mos çuditemi kur dëgjojmë nga udhëheqja e LDK-së se Policia e Kosovës, kryeministri i Republikës, institucionet e shtetit tonë na qenkan si Serbia e Millosheviqi. Por këtu siç e dini edhe ju vetë, LDK-yhi dhe PDK-yhi janë bashkë në koalicion”, tha Kurti gjatë fjalimit të tij në Pejë.
Lidhur me këtë, 14-shi i LDK-së thotë se 100 mijë votues që kaluan nga LDK tek VV, tashmë janë rikthyer në LDK dhe se nuk do i falin ofendimet e tilla ndaj kësaj partie.
Ai theksoi se përdorimi i metaforës për ‘vrasjen e mizës’ është i papranueshëm dhe se kjo do të ketë pasoja për Kurtin në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Zotri Kurti e dinë dhe e ndjen se ato 100 mijë vota që shkuan nga LDK-ja për me i’a dhënë mundësinë me qeverisë janë kthyer në LDK. Ai po i ndjek, njerëzit që e kanë votuar LDK-në ose që kanë besuar për një moment tek Vjosa ose Albini dhe kanë shku drejt Vetëvendosjes për të ia dhënë mundësinë, ata nuk e pranojnë këtë ofendim. Nuk e pranojnë këtë ofendim sepse janë që 35 vite në LDK, ata kanë gjenezën politike në LDK dhe një fyrje e tillë, LDK-yhi, PDK-yhi një kërcënim i tillë, me duartrokitje që e simbolizon vrasjen e mizës në këtë rast ai e konsideron LDK-në mizë, pra thirrjen për vrasjen e LDK-së si metaforë janë të gabuara, sepse njerëzit e LDK-së nuk i’a falin. Nuk i’a falin askujt , asnjëherë nuk i’a kanë fal e kanë ndëshkuar me votë, dhe unë besoj që do ta ndëshkojnë edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti”, tha Gashi në BlicInterview.
Tutje, Gashi potencon se partia e tij ka mbajtur qëndrime të forta opozitare, si dhe sipas tij nuk është bërë asnjëherë ndonjë kërcënim verbal ose fizik.
“Pra, ato 100 mijë vota që janë larguar për një moment nga LDK-ja dhe cilat janë kthyer në zgjedhjet lokale, që z. Kurti e dinë shumë mirë që janë kthyer në LDK, dhe nuk janë kthyer më kurrë mas në Vetëvendosje aty e ka dhimbjen e madhe, sepse në aspektin e gjuhës agresive, në aspektin e kërcënimeve, LDK-ja ka qenë shumë e qetë, shumë e butë. Ne i kemi pas argumentet e forta, i kemi pas qëndrimet e forta në aspektin e opozitarizmit, kërcënim asnjëherë nuk kemi bërë, nuk kemi pas asnjëherë kërcënim verbal e as fizik”, tha tutje ai.
Gashi e sheh të paarsyeshme kultivimin e një gjuhe të tillë, duke thënë se kjo është e dëmshme për skenën politike në vendin tonë dhe mund të krijoj probleme afatgjate.
“Pra, nuk ka nevojë me kultivu atë gjuhë, nuk është e nxitur kultivimi i asaj gjuhe nga z.Kurti, nuk është e nxitur nga LDK-ja dhe përdorimi i saj është i dëmshëm për skenën politike dhe për frymën politike në Kosovë, sepse krijon shqetësime dhe probleme afatgjate. Njerëzit neve në terren na thojnë ne ju votojmë juve, por dëshirojmë një premtim prej juve, dhe kur ju thua se cili është premtimi, thojnë që kurr me Vetëvendosjen. Pra e ka krijuar armiqësinë, e ka krijuar urrejten mes njerëzve që e votojnë LDK-në dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje”., përfundoi Gashi i LDK-së.
/GazetaBlic/