I ftuari i radhës në emisionin Blic Intervieë, me Astrit Gashin, ishte kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, raporton GazetaBlic.
Hoxhaj thotë se as koalicioni i parë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as opozita nuk i kishin votat e mjaftueshme për të krijuar qeverinë, por sipas tij, përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon partisë së parë.
Ai thotë se kultura politike e Albin Kurtit është që të përdorë dhunë politike, kaos dhe të krijoj kriza politike që të marrë sa më shumë vota.
“Problemi ka qenë, që as koalicioni i parë LVV dhe të tjerat po as opozita nuk kanë pas votat të mjaftueshme që ta bëjnë qeverinë dhe natyrisht që krijimi i institucioneve dhe qeverisë kalon përmes partisë së parë, si dikush i cili gjatë është në PDK, si dikush që e ka pa PDK në fitoret e saja apo edhe në humbjet e saja, e dinë që të parit i takon me konstitu Kuvendin, i parit i takon me marrë të drejtën e koalicioneve. Zoti Kurti nuk ka pas as vullnet politik për dialog, as vullnet politik për marrëveshje, ka mund ta bëj një koalicon me ndonjë subjekt tjetër politk të madh. Nuk ka pas seriozitet ftesa e tij, ka qenë më shumë për tu arsyetuar, më shumë për ta krijuar një anarki, një kaos meqë kultura politike e Albin Kurtit është që të përdorë dhunë politike, të përdorë kaos, të krijojë kriza politike për të marrë sa më shumë vota”, tha ai.
Hoxhaj ka shtuar se insistimi i Kurtit për të hedhur disa herë në votim të njëjtin emër për kryetar të Kuvendit, pa siguruar mbështetje nga partitë e tjera, ka qenë përpjekje për imponim politik.
“Dhuna politike nuk mund të jetë vetëm fizike kur e sulmon dikë, kur e mer votën e qytetarëve, kur i ke 48 deputët dhe kur ju thua qytetarëve unë nuk e dua këtë mbështetje tuaj e dua një mbështejte më të madhe, më thoni a ka ndonjë parti politike në Evropë e cila kërkon e tëra pushtetin politik. Kjo se çfarë po kërkon zoti Kurti edhe në këto zgjedhje, cka ka kërku edhe gjatë vitit 2025 për mu është e frikshme. Ai duke e hedhë disa herë në votim emrin e njejtë, duke mos kërku mbështetje të partive tjera politike përmes një koalicioni një marrëveshje, në fakt ka bërë përpjekje që ta imponojë vullnetin politik mbi subjektet tjera politike dhe kur e imponon vullnetin politik njëanshëm është dhunë politike”, vlerësoi ai.
Ai ka theksuar se qëndrimi i PDK-së ka qenë i qartë që nga fillimi, duke theksuar se Kurti nuk i ka pasur numrat për krijimin e institucioneve, gjë që, sipas tij, ka ndikuar edhe në sjelljen e subjekteve të tjera politike.
“Qëndrimi i PDK ka qenë ky, ne e kemi ditë që zoti Kurti nuk ka numra për të kriju qeverinë dhe institucionet dhe zgjedhja moszgjedhja e kryetarit të Kuvendit ka pas të bëjë me atë se sa vota i ka për qeveri. Fakti që zoti Kurti nuk ka qenë serioz me partinë e tretë apo me partinë e katërt, ka determinu një sjellje të të gjithë të tjerëve. Në sistemin tonë politik ai i cili del i pari do duhej të bisedoj me të dytin, të tretin dhe të katërtin, por zoti Kurti më shumë preferon të ketë një koalicon të partive sikurse është lista Guxo dhe Aletrnativa të cilat më shumë u ngjajnë atyre fronteve popullore në kohën e komunizmit se nuk janë parti me ndonjë nivel të qartë sesa të sheh një marrëveshje politike e cila do ta bashkonte shoqërinë dhe e cila do të krijonte një konsenzues ndërpartiak brenda një marrëveshje politike për ta udhëheqë vendin”, u shpreh ai.
Ndër të tjera ai shton se kriza shtetërore ka qenë qëllimi i Albin Kurtit.
Në fund, Hoxhaj u ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 28 dhjetorit ta votojnë Partinë Demokratike të Kosovës, duke thënë se PDK, në partneritet me partitë e tjera opozitare, duhet ta formojë qeverinë e re
“Prandaj kriza shtetërore ka qenë qëllim i zotit Kurti, me qëllim që ne mos ta kemi një krizë të ngjajshme shtetërore në 2026, që mos ta shohim situatën e njëjtë në 2026, me qëllim që mos ta shohim edhe njëherë filmin e njejtë në 2026, unë i ftoj qytetarët e Kosovës që me 28 dhjetor të dalin dhe ta votojnë Partinë Demokratike të Kosovës, e cila në partneritet me subjektet tjera në opozitë duhet pashmangshëm që ta krijojë qeverinë e re”, përfundoi Hoxhaj për GazetaBlic.
