• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Kreu i SBASHK-ut: Fatkeqësisht, në Kosovë beteja për dije bëhet me shkumës e me shpuzë

01/14/2024 21:54
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, ka theksuar se ai ndihet tepër i shqetësuar me rezultatet e testit PISA.

Ai për emisionin “Expose”, prodhim i Gazeta Blic, ka numëruar arsyet që kanë çuar në këto rezultate të testit PISA.

Jasharaj ka thënë se fatkeqësisht në Kosovë beteja për dije bëhet me shkumës e me shpuzë.

“Po, t’ju them të vërtetën, me të shpallur rezultatet e testit PISA, para mediave të nderuara nga zonja Nagavci, ne menjëherë kemi dalë sepse mediat kanë qenë të interesuara të shohin qëndrimin tonë dhe e kam thënë publikisht që në emër të SBASHK-ut atë ditë askush nuk është ndjerë i lumtur. Madje jemi ndjerë shumë keq ngase edhe kësaj radhe në testin PISA nxënësit tanë kanë dalë shumë keq të renditur diku nga fundi i listës nga 80 shtete pjesëmarrëse, dhe kjo na shqetëson shumë”, tha ai.

“Unë në emër të SBASHK-ut i jam drejtuar përmes mediave zonjës Nagavci dhe këtë apel e mbaj ende që ajo të ulet në të njëjtën tavolinë me përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, SBASHK-un, Këshillin e Prindërve dhe ekspertët më të mirë që i kemi të arsimit dhe të shohim bashkarisht pa bërë me gisht kah njëri-tjetri”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Jasharaj tha se pa bërë shumë fyerje e sharje, duhet kuptuar pse jemi këtu dhe çfarë duhet bërë bashkarisht për të qenë më të mirë, ngase konsideron se nxënësit e Kosovës janë inteligjentë.

“Konsideroj se mësimdhënësit, pjesa më e madhe e tyre janë të angazhuar, por duhet shikuar edhe kushtet e punës që fatkeqësisht nuk po përmirësohen. Fatkeqësisht, edhe në vitin shkollor që jemi ne po zhvillojmë betejën për dije me shkumës dhe shpuzë, edhe opinioni dhe mediat e dinë, këtë vit shkollor na dolën telashe dhe me tekstet shkollore të cilat vështirë arritën deri te klasat dhe nxënësit”, tha ai për “Expose”.

“Nëse nuk bëhet kjo dhe kandidojnë prapë për testin PISA pa bërë angazhimet të përbashkëta, pa i përmirësuar kushtet e punës në shkolla, pa dërguar inspektorë në shkolla për të parë se çfarë po punojnë mësimdhënësit dhe për t’i ndihmuar që pikat e dobëta t’i heqin e të mobilizohen edhe më shumë, atëherë ne nuk mund të presim suksese të jashtëzakonshme në këtë test, pra pa mobilizim të përgjithshëm”.

Ai tha se ministrja e arsimit nuk e ka thirrur askënd për të analizuar rezultatet që dolën nga testi PISA.

“Unë konsideroj se edhe kurrikulën duhet rishikuar, konsideroj se edhe testet shkollore nuk janë ato adekuate, konsideroj se pa i furnizuar me mjete bashkëkohore me laptop dhe monitor, për ta bërë mësimin më atraktiv, për ta kthyer shkollën në një ambient të dashur për nxënësit, rezultate të larta nuk mund të arrijmë me këto kushte që i kemi për momentin në shkollat tona”, tha ai.

12/23/2024 21:12

Muriqi mund të rikthehet në Turqi?