• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Kosova humbi 200 milionë euro/ Anëtari i LDK-së kritika Qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë – gabimet që bëri ajo

04/28/2023 21:08
nga:G B

Eksperti i energjetikës, njëherësh anëtari i LDK-së, Visar Azemi, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka folur për rritjen e çmimit të energjisë nga Qeveria e Kosovës, arsyet pse ka ardhur kjo rritje dhe si është dashur të veprohet që të mos ndodhë rritja.

“Domethënë këto janë të lidhura për faktin që ti nuk ke prodhim vendor sepse të kanë rënë blloqet një pas një, detyrohesh dhe obligohesh që të importosh energji elektrike nga jashtë, që çmimi pastaj caktohet nga berza ndërkombëtare dhe kjo berzë ka qenë e ndikuar edhe nga lufta në Ukrainë, ku çmimet e energjisë elektrike shkuan në rekord. D.m.th asnjëherë më parë nuk janë parë këto çmime të energjisë që janë paguar në berzë”, thotë ai.

Por, sipas Azemit, sikur të kishim prodhuar energji me blloqet që kanë qenë jashtë funksionit, do të kishte nevojë për import në sasi më të vogël.

“Por, sikur të kishim prodhuar energjinë me këto blloqe që i kemi pasur jashtë funksionit, sigurisht që ne prapë do të kishim pasur nevojë për import, por jo në këto sasi të cilat janë importuar sepse do të kishim mundësi të prodhonim atë energji elektrike me blloqet ekzistuese të cilat i kemi dhe pashmangshëm kjo është e lidhur me ngritjen e çmimit të energjisë, për shkak se importi ka qenë i shtrenjtë”, potencon ai.

Ndërsa, për masat e marra nga qeveria lidhur me krizën energjetike, ai thotë se gjendja e jashtëzakonshme është që 2 vjet dhe është dashur të bëhet riparimi i bllokut A5 dhe se po të ishte intervenuar me kohë, nuk do të kishte nevojë për import e as ngritje aq të madhe të çmimit të rrymës.

“Gjendja e jashtëzakonshme në sektorin e energjisë është që 2 vjet, çdo muaj janë zgjatur ato masa. Dhe në një kohë krize energjetike, në një kohë kur ne kemi qenë në gjendje të jashtëzakonshme, ne është dashur të merremi me shpejtësinë e riparimit të bllokuar A5 e jo të ndajmë mjete e subvencione sepse ky ka qenë subvencioni më i mirë. Po qe se kishte operuar natyrshëm, nuk do të kishte pasur nevojë të blejmë energji elektrike, të importojmë energji nga jashtë, e rrjedhimisht ngritja nuk do të ishte ajo që ka qenë. Pra, këtu është dashur të jetë fokusi kryesor që t’i kthejmë asetet tona në operim sa më parë”, deklaron Visar Azemi në BlicInterview.

Sipas tij, Kosova ka humbur 200 milionë euro si pasojë e importeve, që thotë se kanë ardhur si rezultat i keqmenaxhimit të këtyre asteteve, teksa përmend se Kurti i ka marrë në mbrojtje Berishajn dhe Krasniqin, si keqpërdorues të sektorit të energjisë.

“Zoti kurti i ka marrë në mbrojtje Berishajn dhe Krasniqin, këta keqpërdorues të sektorit të energjisë, me të cilët është parë në Kroaci në kohën kur Kosova ka importuar energji elektrike. Nuk ke çka thua tjetër, është pasqyra e qartë. Në këto rrethana dëmi mund të ketë qenë mbi 200 milionë euro i këtyre importeve që janë shkaktuar si rezultat i keqmenaxhimit të këtyre aseteve”, vlerëson anëtari i LDK-së.

Azemi tregon se cilat janë opsionet e LDK-së për energjinë, gazin e qymyrin.

“Si opsion i LDK-së që e kemi qitë përpara është revitalizimi i Termocentralit Kosova B, për ta dhënë atë energjinë bazë që është diku rreth 500 MW në orë dhe opsionet tjera për qymyrin, për linjitin të cilin ne e kemi pasuri nuk do të ketë prodhim të ri të energjisë elektrike, pra duhet ta përdorim gazin si një opsion i vetëm sepse gazi neve do të na mundësonte një kapërcim energjetik si tranzicion”, shton eksperti i energjetikës.

Sipas tij, Kosova i ka humbur 2 vite duke mos bërë asgjë për projektin e gazit dhe madje nga qeveria ka qenë skandal që ka thënë se  gazi amerikan është gaz rus.

“Ne i kemi humbur 2 vite kohë, pa bërë asgjë. 2 vite janë mjaftueshëm për të pasur diçka të mirëfilltë, të prekshme në projekt të gazit. Sigurisht që gazi nuk do të vie brenda 1 viti, ndoshta as brenda 2 viteve por ne veçse i kemi humbur dy vite dhe nuk kemi bërë asgjë. Ky është realiteti. Por gazi si mjet tranzicioni për të kapërcyer nga burimet fosfor. Refuzimi i gazit ka qenë i pamenduar mirë, madje një zëvendësministër ka thënë se gazi amerikan është gaz rus, që është një skandal i paparë”, deklaron Visar Azemi nga LDK./Gazeta Blic/