Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, në një intervistë me Astrit Gashin në BlicInterview, ka komentuar deklaratat që Qeveria po thotë se bashkësia ndërkombëtare po dëshiron ta shkatërrojë një vend demokratik, ndërsa që opozita po thotë se qeveria po e shkatërron miqësinë me miqtë ndërkombëtarë.
Ajo thotë se zgjidhja e problemeve arrihet vetëm me miqtë afër, pasi historia na ka treguar që momenti i vetëm kur kemi arritur demokracinë tonë dhe pavarësinë tonë ka qenë kur jemi bërë me miq.
“Vetëm analizoje formësimin e Kosovës ndër vite. Përgjigja ime ka të bëjë pikërisht me këtë që po e analizoj segmentimin e jetës në Kosovën e pasluftës. Në qoftë se gjithçka në Kosovë në investime të huaja ka qenë për ta pavarësuar gjyqësorin, për t’i bërë njerëzit të pyesin gjithmonë pse, çka, kur, për të insistuar që mediat të jenë të lira dhe të pavarura, a është bërë krejt kjo për ta shkatërruar demokracinë e Kosovës apo është bërë që ne të jemi pikërisht demokratët kosovarë të aftë që ta shtyjmë përpara procesin, duke e kuptuar çka saktësisht synojnë miqtë tanë në veri. Duke e kuptuar që nganjëherë ne mund të investojmë kohë më të gjatë për të zgjidhur një problem por që qëllimin final e kemi ndoshta më lart por e kemi aty, dhe ai qëllimi arrihet vetëm kur i kemi miqtë tanë afër vetes, sepse historia jonë na ka treguar që momenti i vetëm kur kemi arritur demokracinë tonë dhe pavarësinë tonë ka qenë kur jemi bërë me miq sepse shko ti thuaji një personi në Kosovë, një gjyshi, që ju s’keni pasur të drejtë në vitet e 80-ta, shko thuaji një 80 vjeçari që në vitet e 80-ta nuk e ke pasur të drejtën e asaj ta fitosh atë që e ke fituar në vitin 2008 ose 99-ën, ose që nuk e ke merituar në të 80-tën miqësinë, edhe e sheh se çka të thotë”, vlerëson ajo.
Por, sipas Kica Xhelilit, thellë brenda të gjithë e dinë se pa këto miqësi s’do të ishim askund dhe se të gjitha shtetet më të fuqishme, kur i kanë shkatërruar aleancat, për shkak të disa eksperimenteve që i janë dukur ndoshta për të mirën e vendit të tyre, gjithmonë kanë prodhuar me destruktivitet të vendeve të tyre.
“Pra, ideja është që thellë brenda të gjithë e dinë që pa këto miqësi ne nuk do të ishim askund. Thellë brenda të gjithë e dinë se të gjitha shtetet, jo veç Kosova, madje edhe më stabile, më të fuqishme se Kosova, se kur i kanë shkatërruar aleancat, për shkak të disa eksperimenteve që i janë dukur ndoshta për të mirën e vendit të tyre, gjithmonë kanë prodhuar me destruktivitet të vendeve të tyre. Pra, kur e analizojmë këtë segment e kuptojmë që ne nuk kemi të bëjmë këtu as me përafrim të miqve, e as shtrim të sovranitetit”, thekson deputetja.
Ajo shton se ne copë-copë po ia japim narracionit të Vuçiçit atë që ai e ka kërkuar me vite të tëra, duke u përçarë më miqtë tanë.
“Ne copë-copë po i japim narracionit të Vuçiçit atë që ai e ka kërkuar me vite të tëra. A nuk ka qenë pikërisht inteligjenca serbe dhe shërbimi serb që gjithmonë ka insistuar që në Kosovë duhet të krijohen dy lloje të përçarjeve. Përçarja e parë ka qenë përçarja e religjionit, pra që t’i detyrojnë që shqiptarët e Kosovës të kenë përçarje të religjionit, në mënyrë që të mos merren më me kombësi e demokraci dhe përçarja e dytë ka qenë me miqtë tanë. Dhe nëse ne po ia japim së paku përçarjen e dytë, kujt po i shkon në favor shtrohet pyetja”, deklaron deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili./Gazeta Blic/