• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Kica-Xhelili: Shkeljet kushtetuese nga qeveria e Albin Kurtit po bëhen me qëllim!

12/14/2024 21:37
nga:G C

Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar në tërësi Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë, ligj ky, për të cilin kryeministri Kurti tha se ishte iniciativë serioze e Ministrisë së Drejtësisë.

S’vonoi shumë, Qeveria e Kosovës, ka miratuar projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me ndryshme në katër nenet e saj.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kritikoi qeverinë për shkelje të vazhdueshme kushtetuese në ligjet e miratuara, duke theksuar se qeveria nuk i mori parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe e risolli projektligjin me shkelje të përsëritura.

“Gjykata Kushtetuese ka rol që të bëj interpretimin e përputhshmërise së neneve të çdo akti të atakuar, me normat kushtetuese. Në rastin konkret, sikurse në plot raste tjera gjatë kësaj qeverie, ligjet që draftohen, mbështeten nga qeveria dhe votohen më pas në Kuvend nga partia në pushtet, kanë shkelje të vazhdueshme kushtetuese. Njësoj, në rastin konkret, qeveria nuk i mori parasysh të gjitha vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese të radhës së parë, dhe e risolli për votim këtë projektligj me shkelje të përsëritura”.

Sipas deputetës së LDK-së, të gjitha ligjet që po kthehen për rishqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, po miratohen nga Qeveria, jo vetëm nga mos-dija, por edhe me një qëllim të caktuar.

“Dikur, nuk isha e sigurt nëse ishte çështje e mosdijes, apo qëllimit. Sot qëndroj e bindur se janë të dyja. Qeveria e sotme ka mosnjohje elementare në norma kushtetuese, por përtej kësaj, ka dhe qëllimin e mosrespektimit të Kushtetutës. Pra, shkeljet janë të qëllimshme sepse korniza aktuale kushtetuese nuk lejon manovra jodemokratike në shtylla të rëndësishme shtetare”, thotë Kica-Xhelili.

“Nuk lejon kontroll dhe ndikime politike në drejtësi, që u synua nga ky pushtet. Nuk lejon shkelje të të drejtave të njeriut, që u synua nga ky pushtet në emër të drejtësisë. Nuk lejon zhbërje të ekonomise së tregut dhe konkurrencës së lirë, që gjithashtu u synua nga ky pushtet. Nuk lejon ndërhyrje jodemokratike, arbitraritet, kontroll politik, nene retroaktive e shumë probleme tjera në sektorin e zyrtarëve publik, që gjithashtu u synuan nga ky pushtet. Këto janë vetëm disa të përmbledhura”.

“Për fund, t’a kemi parasysh, nuk synoj të them që gabimet mund të mos ndodhin, sepse edhe interpretimet kushtetuese hasin në mendime të ndryshme. Sidoqoftë, ka dallim drastik në mes të ndonjë lëshimi eventual apo ligji, dhe një sistemi përsëritës të shkeljeve kushtetuese që shkeljet i shndërron në standard, sikurse ka ndodhur me këtë qeveri”, përfundon Doarsa Kica-Xhelili përgjigjen e saj dhënë për dokumentarin “Expose” prodhim i “Gazeta Blic”