Afaristi Ramiz Kelmendi në një rrëfim për dokumentarin “Expose’ prodhim i ‘Gazeta Blic’ tregon se ka qenë pjesëmarrës aktiv në demonstratat e Kosovës.
I njëjti thotë se në vazhdimësi e ka ndihmuar luftën me medikamente mjekësore dhe produkte ushqimore.
Por ai ndalet tek një moment i veçantë gjatë luftës…… tregon se si e kishin shpëtuar një nuse nga Aqareva e cila kishte qenë e plagosur, ngjarja e cila, sipas tij, për pak sa nuk i kushtoi shumë.
“Pjesa e madhe e trupit dhe mendjes time më detyron të ndjek rrugën e suksesit, të zhvillimit, të luftës për pavarësi në vazhdimësi prej momentit që kam qenë student në vitet 1981. Kam qenë pjesëmarrës aktiv në demonstratat e Kosovës, në shkruarjen e pamfleteve të ndryshme por që kam patur fat mos të arrestohem. Kur i kanë rrethuar konvektet atëherë policia serbe, kam kcy nga kati i tretë për shkak se ishte njëri prej shkrimeve që i bëja më së shumti në pamflete, dhe pantallonat dhe duart i kisha të ngjyrosura me ngjyrë që automatikisht arrestimi im ishte me dënim 10 vjet. U desht që ta shtyej përpara edhe procesin e lirisë por edhe t’a ruaj procesin e familjes dhe të jem në vazhdimësi i lirë në mënyrë që patriotizmi im mos të shuhet me një veprim të caktuar. Nuk jam ndal pastaj edhe gjatë biznesit e kam ndihmu luftën jashtëzakonisht shumë psh me medikamente mjekësore, miell, sheqer, vaj, mjete higjienike të cilat kanë qenë të ndaluara duke i qu në zonat operative të Dukagjinit në vazhdimësi, të Llapit, Drenicës…. të gjitha zonat i kam furnizu me ushqime në mënyrë permanente dhe me medikamente mjekësore të cilat shkojshin në ndihmë të të plagosurve në luftë. Kam patur rastin kur një nuse e plagosur nga Aqareva, është sjellë me kamionin që ka qu ndihma humanitare. E kemi marrë, dhe e kemi transportu në spitalin fushor të UÇK-së. E dinim ku është ai spital fushor, ajo është shëru, dhe me sa di edhe sot është gjallë por nuk e kam pa asnjëherë. Pata pasoja për arsye se shërbimi sekret e mori këtë informatë dhe mezi shpëtova pa u sanksionu duke blerë financiarisht disa njerëz të cilët më ndihmuan mos të persekutohem” tha Kelmedni në rrëfimin e tij për dokumentarin ‘Expose’ raporton “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/