• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Karaçeva e “Kazinove”- Ku s’guxon të hyjë as Shteti

07/16/2021 23:08
nga:Gazeta Blic

Një fshat i banuar me shqiptar, i cili është në afërsi të brezit kufitar me Serbinë është shndërruar në një vend të krimit. Fjala është për Fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës të cilin bosët e krimit e kanë kthyer në destinacion të kazinove.

Në një aksion policor të zhvilluar në shtator të vitit 2020 janë rrënuar po thuajse të gjitha objektet në të cilat kanë qenë të vendosura aparaturat e kazinove, veprimtari kjo e ndaluar me ligj që nga viti 2019 si pasojë e incidenteve dhe vrasjeve që kanë ndodhur brenda tyre. Ndalimi me ligj i lojërave të fatit ishte bërë nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, edhe si përgjigje ndaj atyre që kishin pretenduar se mund të këtë pasur hise në to, raporton Gazeta Blic.

Por vetëm një vit më vonë, aty kanë nisur të lulëzojnë sërish kazinot.

Ekipi i Expose ka qëndruar në fshatin Karaçevë të martën e kësaj jave, për të parë nga afër këtë aktivitet kriminal që ka nisur të sfidojë organet e shtetit, zonë kjo e cila nuk monitorohet nga autoritetet kosovare.

Aty aktualisht janë ndërtuar dy objekte të reja të kazinosë dhe një tjetër është në proces të ndërtimit, ndonëse Inspektorati Komunal në Kamenicë iu kishte dhënë urdhër për ndërprerje të punimeve pa leje. Pavarësisht kësaj dhe në mungesë të energjisë elektrike, pasi që ajo ishte shkyçur nga aksioni i rrënimit në vitin e kaluar, një nga kazino tashmë ka nisur punën me gjenerator.

Rreth 1 kilometër nga vendi ku janë ndërtuar kazinotë është e vendosur një postbllok i policisë serbe që kontrollon çdo veturë që lëvizë në këtë pjesë.

Banorët e fshatit pretendojnë se aparaturat e kazinos ndodhen edhe në bodrumin e këtij restoranti, puna në të cilin nuk është ndërpre për asnjë moment si rezultat i veprimtarisë tjetër që e ushtrojnë ligjërisht, atë të shërbimit me ushqim dhe pije.