Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, pritet ta fitojë pa vështirësi garën për kryeqytetin në zgjedhjet lokale, raporton GazetaBlic.
Kajtazi në një intervistë për emisionin Blic Interview me Astrit Gashin, tha se qytetarët janë të pakënaqur me qeverisjen e Albin Kurtit dhe se kjo do të ndikojë në votën kundër kandidatit të Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku.
Sipas tij, megjithëse Rama ka pasur pengesa nga qeveria Kurti, në Prishtinë janë bërë punë, por mungojnë projektet e mëdha të premtuara.
“Se gjatë këtyre katër vjetëve sa e ka pushtetin, ky vend nuk ka përparuar. Njerëzit janë më të varfër, faturat janë më të shtrenjta, ka dembelim të madhe, ka logjikë të bllokimit. Për këtë arsye mendoj se fiton Përparim Rama. Njerëzit kanë arsye me qenë të pakënaqur me zotin Rama. Përtej pengesave në disa projekte që i ka pasur prej qeverisë Kurti është bërë edhe punë, por nuk janë realizuar ato projekte të mëdha, të cilat i i pat premtuar se do ta transformonin rrënjësisht Prishtinën. Por për shkak të Albin Kurtit, unë mendoj se zoti Rama kalon pa problem me në këto zgjedhje”, tha ai.
Kajtazi vlerësoi se një pjesë e votuesve që në zgjedhjet e kaluara kishin shkuar te kandidati Uran Ismaili, këtë herë do të kthehen te LDK-ja.
“Dhe unë besoj që votuesit e PDK-së, kthehen te LDK-ja. Këtë bindje e kam. Nuk shkojnë te zoti Çeku. Atëherë zoti Çeku e ka votën e Vetëvendosjes, e unë besoj që ai e ka mbërri kulmin. Në pyetje ta zëmë të kryqëzuar, se cilin kandidat e voton votuesi i PDK-së, është rreth 60% se shkon për Përparim Ramën, 1% është se nuk dalin fare, 1% goxha e vogël është se e votojnë zotin Çeku. Domethënë po flas për matje. Unë nuk është se preferoj shumë me bërë kështu parashikime se duhesh me i pasur disa të dhëna.”, vlerësoi ai.
Tutje ai shtoi se në qytete si Prishtina, rëndësi ka kush e fiton postin e kryetarit, dhe se sipas bindjes së tij, Përparim Rama do ta ruajë mandatin.
“Në qytete si Prishtina që është kryeqytet, e rëndësishme është fitorja. Kush ka me shkuar në zyrën e kryetarit të komunës. Edhe në zyrën e kryetarit të komunës, besoj edhe duhet me shkuar Përparim Rama”, tha ai.
Sipas tij Çeku do të ishte shumë i mirë për komunën e Prizrenit, ku thekson se për të nuk mund të jetë i mirë derisa është me Albin Kurtin.
“Zoti Çeku do të ishte shumë i mirë mbase për Prizrenin. Zoti Çeku po të shkëputej nga partia, nga Vetëvendosje, besoj se do të ishte një trik tjetër. Por duke qenë pjesë e një strukture të tillë politike, e cila nuk i ka sjellë dobi këtij vendi, atëherë në parim, për mua, nuk mund të jetë ai i mirë derisa është me Albin Kurtin. Njerëzit duhet të jenë të guximshëm që kur dikush i shkakton”, përfundoi ai për GazetaBlic.


