• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

“Jetoj ende me qira”- Rrëfimi i padëgjuar më parë i Smajl Latifit për angazhimin në LKÇK, UÇK dhe si i pari i Rahovecit!

01/11/2025 16:03
nga:Y I

Një ndër anëtarët e parë të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, ish-ushtar i UÇK-së, kryetar i komunës së Rahovecit në mandatin e tretë e kandidat për një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Smajl Latifi, vjen në një rrëfim për dukumentarin “Expose”.

Latifi flet për jetën në vendlindje, familjen dhe aktivitetin politik që e ushtron tash e tre dekada.

Ai tregon se gjithë jetën e tij e ka kaluar në këtë qytet, ku jeton me qera aty që nga viti 2011.

“Unë jetoj me qera që nga viti 2011 kur asokohe isha kryetar komune, ishte mandati i parë edhe pse ishte jo i plotë. Vazhdoj të jetoj me qera në qytetin e Rahovecit me qëllim që të jem më afër qendrës komunale si njësi administrative komunale dhe më afër qytetarëve ku veproj. Jetoj me bashkëshorten, kam një djalë që po ndjek masterin në shkencat politike dhe me vajzën e cila është në shkollën e mesme në Rahovec. Unë e kam kryer drejtimin e kimisë, jam profesor i kimisë mirëpo asnjëherë nuk kam patur rrethanë, rrjedhimisht as mundësi që t’a ushtroj profesionin për shkak të angazhimeve në jetën politike dhe shoqërore” tha Latifi për dokumentarin ‘Expose’ raporton “Gazeta Blic”.

Latifi me shumë emocioni na flet për angazhimin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ndan detaje të pathëna më parë rreth betejës së 12 majit të vitit 1998 në fshatin Ratkoc në një luftë të pabarabartë me pushtuesin, ku dalin fitimtarë.

Latifi na tregon se pas ofensivës së shtatorit të vitit 1998 emërohet komandant i batalionit të tretë të brigadës 124 “Gani Paçarizi” dhe e përfundon luftën duke qenë komandant i batalionit të trete të Brigadës 124 të UÇK-së, zona operative Pashtriku.

“Si të rinjë ne kemi qenë të angazhuar në kuadër të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës nga vitet 89-90 ndërsa jam ndër anëtarët e parë të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) nga marsi i vitit 93. I gjithë angazhimi ynë ka qenë në funksion të përgatitjes së ‘shtratit’ për luftën e armatosur çlirimtare e cila ishte e domosdoshme dhe e pashmangshme. Kemi punuar sistematikisht dhe intensisvisht në mënyrë të organizuar duke e ndjekur linjën e veprimtarisë së fshehtë për t’u përgatitur më pastaj që në me 12 maj të vitit 1998 ne të dalim publikisht në një betejë të pabarabartë me forcat pushtuese serbe në fshatin Ratkoc, në një betejë e cila zgjati që nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Kjo betejë është e fituar nga njësitet e UÇK-së të cilat operuan me suksese dhe forcat serbe u dëbuan nga Ratkoci dhe ajo zonë me forcën e armëve të djemve të UÇK-së. T’iu them të drejtën me 11 maj të vitit 1998 ndodhi një marrëveshje jashtëzakonisht e rëndësishme për ato rrethana, marrëveshja me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, marrëveshje e cila është nënshkruar në Aqarevë. Një ditë më vonë ndodhi ajo beteja e cila konfirmoi bashkimin e forcave rreth një qëllimi dhe ideali të vetëm, rreth qëllimit të lirisë. Që nga 12 maj i vitit 1998 tanimë ne publikisht ishim anëtarë, ushtarë të lirisë të organizuar në një emblemë të vetme, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pas shtatorit të vitit 1998, ofensivëz së madhe të armikut në zonën tonë dhe kudo në zonat e luftës, jam emëruar komandant i batalionit të tretë të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” dhe e kam përfunduar luftën duke qenë gjtihnjë në frontin e luftës dhe kam dalë prej luftës si komandant i batalionit të trete të Brigadës 124 të UÇK-së, zonës operative Pashtriku”

Ai tregon se pavarësisht se sa e vështirë ishte lufta, asnjëherë dhe për asnjë moment nuk e ka menduar largimin nga Kosova.

“Unë e përfaqësoj konceptin e qëndrueshmërisë, konsistencës dhe asnjëherë në konceptin që e përfaqësoj nuk e pranoj dorëzimin dhe nënshtrimin. Asnjëherë nuk kam menduar të largohem nga Kosova e robëruar asokohe sepse ne ishim të bidnur se pa angazhimin tonë, pa mobilizimin tonë, dhe pa organizimin e kryengritjes së përgjithshme të armatosur Koosva nuk mund t’a fitonte në asnjë mënyrë dhe rrethanë lirinë të cilën e ka merituar ky popull shumë më herët. Edhe gjatë luftës përkundër faktit që kemi patur situata tepër të vështira, momente jashtëzakonisht të vështira ndonjëherë edhe nga përshtypja e njerzve kanë qenë të papërballueshme, asnjëherë nuk e kam lëshuar pushkën nga dora dhe nuk jam larguar nga ballafaqimi me vështirësitë. Nuk jam larguar nga frontet e luftës, asnjëherë nuk jam shmangur, nuk kam devijuar dhe kam ndjekur vetëm një rrugë, rrugën e vetme e cila ishte rrugë e luftës së armatosur, vetëm duke përshkuar cep më cep këtë rrugë dhe duke qenë të vendosur, isha i bindur se do të vinte liria” tha Latifi për dokumentarin ‘Expose’ raporton “Gazeta Blic”.