“Expose” prodhim televiziv i portalit “Gazeta Blic” sot ka transmetuar një dokumentar për betejën e Prekazit dhe rënien e familjes Jashari.
Por cilat ishin ngjarjet që i paraprinë betejes frontale të familjes Jashari në Prekaz?
Lufta, thuhet se ishte e pa shmangshme, për këtë kishin filluar përgatitjet kohë më parë.
Në vitin 1991 një grup atdhetarësh të ardhur nga Kosova, Zvicra e vende të tjera, me Adem Jasharin në krye, u stërvitën ushtarakisht për rezistendcë të armatosur guerile. Adem Jashari i pari krijoi grupin e Drenicës dhe në vitin 1992 filloi aksionet e para luftarake. Më 5 prill 1993, në kullën e tij u organizua një mbledhje me luftëtarët e njësiteve guerile dhe veprimtarët politikë. Adem Jashari propozoi që të gjitha aksionet të kryheshin në emër të Ushtrisë së Kosovës. Në këtë mbledhje u mor vendimi për emërimin e Adem Jasharit Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Kosovës, e cila në vjeshtën e vitit 1994 mori emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).
“Unë du të them disa çështje që për të ardhë deri të 5,6,7 marsi, ju kujtoj që nga pranvera shqiptare e vitit 81 përkatësisht 13 marsi ku ka nisur lufta me rënien e Tahir dhe Nebih Mehes, ngjarje kjo e cila është e veçantë për popullin shqiptar. Në vazhdimësinë e kësaj ne si student organizuam protesta, pastaj ndodhen protesta gjithë popullore në mbarë Kosovën. Kemi pasur bashkëpunim të mirë me Adem Demaçin dhe Ukshin Hotin, i cili në Brestovc pati deklaruar se duhet të krijojmë ushtrinë tonë sepse ndryshe nuk vihet të liria. Duke i parë të gjitha këto qëndrime ne si lagje u organizuam që të krijojmë rezistencën aktive të armatosur përkundër asaj pasive që udhëheqej nga Ibrahim Rugova, ne vendosëm që me atë rezistencë që kishim të rezistojmë dhe të mos nëpërkëmbej liria jonë”, tha për Expose Xhavit Jashari, përfaqësues i familjarëve të dëshmorëve të UÇK-së.
Organizimi ushtarak dhe përgatitjet për luftë, në Prekaz ishin bërë rreth 7 vite para se të ndodhte beteja tre ditore. Pikërisht në vitin 1991 kishte ndodhur sulmi i parë ndaj familjes së Komandantit Adem Jashari nga shumë forca serbe, por që hasën në rezistencë të plotë, dhe u detyruan të tërhiqen.
“Më kujtohet kur e bëm një tubim si lagje dhe të gjithë me një gojë vendosëm që të marrim veprime të tilla, në këtë kohë ne qëndronim nëpër oda ndërkohë mësuesi i asaj kohe Qazim Jashari na ndante pikat, ku besonte se do të vinin forcat serbe për të na arrestuar, kështu është zgjëru kjo veprimtari edhe në lagje të tjera, dihet se ne kemi vepruar edhe më herët me bashkëluftëtarët e Komandantit Adem Jashari, vlen të theksohet se në sulmin e parë kur është bërë më 30 dhjetor 91 ku unë dhe Nazmi Jashari dhe Ali Jashari tani dëshmorë, qëndronim deri në mëngjes, unë kisha për detyrë të njoftoja të afërmit përmes koridorëve dhe të intervenojmë për të mos lejuar marrjen e asnjë anëtari të familjes”, tha ai.
Derisa rrëfen betejën e 5,6 dhe 7 marsit dhe sakrificën sublime të familjes Jashari, ky ish-ushtar i UÇK-së i cili tash e sa vite përfaqëson familjet e dëshmorëve, tregon se disa prej familjarëve kanë mundur të largohen, por kanë vendosur që të sakrifikohen për liri.
“Pas sulmit të dytë vim tek Qirezi dhe Likoshani, aty arrijmë tek ai momenti se kjo nuk do të kalohet ndryshe vetëm me luftë, dhe më pas 6 dhe 7 mars ndodh një rrethim i hekurt që nuk është parë më parë, ku ndodh edhe sakrifica që nuk ka ndodhur pas luftës së Gjergj Skënderbetu, nuk kemi parë për një sakrificë për tu flijuar të gjithë për të ardhur tek liria. Mobilizimi i përgjithshëm ka qenë i duhur, Ali Jashari ka mundur të largohet nga beteja por ai është futur tek Adem Jashari dhe ka rënë bashkë me anëtarët tjerë të familjes. Kemi vëllain tim Faikun, i cili thuhet se ka rënë bashkë me Adem Jasharin”, ka treguar Jashari.
Jashari rrëfen edhe për takimin me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët sipas tij kishin kërkuar në atë kohë ndaljen e luftës, me pretendimet se liria do të vinte edhe pa të.
“Ne në atë kohë pas marrjes së informacioneve nga LDK kemi realizu takim me drejtuesit e partisë ku ka qenë prezent Hamëz Jashari, Qazim Jashari dhe unë, ne nuk bindeshim për të pushuar këtë aktivitet me pretendimet se lirinë do të na bjerë dikush, ne kishim vendosur dhe kishim mësimin e madh të Hasan Prishtinës se liria nuk falet dhe ajo nuk bie nga toka por duhet të luftohet për të arritur ajo, por pa sakrificë nuk arrihet”, u shpreh ai.
Më poshtë dokumentari i plotë: