• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Janë skandaloze sulmet e Qeverisë kundër Prokurorisë dhe përpjekjet për të amnistuar të dyshuarit Krasniqi dhe Berishaj, thotë Azemi

04/28/2023 20:46
nga:Astrit Gashi

Eksperti për energjetikë në LDK, Visar Azemi, në BlicInterview me Astrit Gashin, duke folur për kontratat e negociauara pa thirrje publike për të ndarë tender, dy prej të cilave po përdoren si bazë për hetim të Nagip Krasniqit nga ana e prokurorisë dhe se a është i mjaftueshëm fakti për dyshime se ka pasur tender njëburimor, Azemi tha se nevojiten sqarime shtesë për publikun.

“Në këtë çka ka ndodhë, me këto dy kontrata që janë marrë tani si shkas për hetim të mëtutjeshëm, në fakt KEK-u ka pasur një proces të hapur ku i ka diskualifikuar këto kompani, e në mesin e tyre edhe kompania me të cilën ka negociuar Zoti Krasniqi pasi ka përfunduar procesi i tenderit të hapur dhe është diskualifikuar. Dhe në momentin kur diskualifikohesh në proces, ju konsideroheni që jeni i papërgjegjshëm, dhe nuk ftohesh më, sepse ke qenë i papërgjegjshëm. Pastaj ju jeni ulur dhe keni negociuar me një kompani të papërgjegjshme, për me kryer një punë të përgjegjshme që i kërkohet KEK-ut, e që është riparimi i bllokut A5, i cili tash e 10 muaj është jashtë funksionit dhe kjo pastaj ka shkaktuar ato humbjet e mëdha te qytetarët, sepse një krizë e tillë në vend ka kërkuar import më të madh të energjisë elektrike dhe ne tani kemi filluar ta paguajmë këtë keq-menaxhim të kësaj ndërmarrje për shkak të këtyre njerëzve dhe interesave të tyre”, tha Azemi.

Zyrtari i LDK-së më tutje shtoi se i quajti skandaloze sulmet e Qeverisë kundër prokurorisë, duke theksuar se në vend që ti jepet hapësirë hetimeve, Qeveria po mbron të dyshuarit.

“Në vend që mos të amnistohen Nagip Krasniqi dhe ambasadori Martin Berishaj, Qeveria ka zgjedhur që të atakoi prokurorinë dhe Gjyqësinë e vendit me tendencën që ti merr ato nën kontroll dhe të veprojë sipas dëshirës. Pra ky është një rast i paprecedent dhe sigurisht që nga ana jonë, si LDK, shihet si një interferim i drejtpërdrejt në organet të cilat duhet të jenë të pavarura dhe duhet ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur”, tha Azemi.

Ai më tutje theksoi se a janë të vërteta apo të pavërteta akuzat, të gjithë duhet të presin rezultatin e hetimeve.

“Tani, çfarë ka ndodhur në realitet në Kuvendin e Kosovës, kryeministri jonë çohet dhe flet në emër të Presidentes, në emër të tij dhe emër të Kryeparlamentarit se ai nuk e dëshiron kryeprokurorin, i cili pritet të emërohet, ose është në proces e sipër dhe del kundër tij. Pra për mua e zbret këtë diskurs në një nivel krejt personal, që atakon një njeri, i cili ka ambicie për tu bërë kryeprokuror, por në fakt kryeministri, presidentja dhe Kryeparlamentari nuk e bëjnë atë zgjedhje. Nuk është vendim i tyre nëse duan ta bëjnë apo jo”, nënvizoi Azemi.

I pyetur se çka nëse fjalët e kryeministrit bëhen vendim i Presidentes, Azemi u përgjigj se atëherë kjo mund të shihet si interferim i drejtpërdrejt në sistem dhe tendencë për kapje të prokurorisë dhe gjykatës.