Ish-diplomati Avni Arifi ka komentuar situatën aktuale politike në Kosovë, duke theksuar dështimin e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti në realizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës zgjedhore.
Ai për Expose, prodhim i GazetaBlic ka kritikuar ashpër politikën e qeverisë përsa i përket nepotizmit, duke theksuar se, megjithë premtimet për meritokraci dhe luftë kundër nepotizmit, qeveria aktuale ka vazhduar me praktika të ngjashme, duke shpërndarë pozita pune për anëtarët e familjeve të zyrtarëve të lartë.
“Siç duket, Kurti ka menduar kështu për opozitën, kur është në pyetje opozita, por nuk e ka menduar për partinë e tij. Sepse partia e tij, që nga ardhja në pushtet, ka bërë nepotizmin normë, dhe po thuajse nuk ka ministër, nuk ka deputet të Lëvizjes Vetëvendosje që nuk është marrë me rahatimin e anëtarëve të familjes së tij. Ajo ka qenë vetëm një temë e madhe, fjalë e madhe propagandistike e Kurtit, por që në praktikë, edhe korrupsioni dhe nepotizmi kanë lulëzuar”, tha Arifi.
Arifi ka theksuar se qytetarët janë ndjerë të mashtruar, pasi qeveria ka arritur në pushtet me premtime të mëdha për ndryshim, por ka dështuar të implementojë reformat që kishte premtuar.
Ai ka shtuar se masivizimi i nepotizmit dhe korrupsionit ka bërë që qytetarët të humbin besimin te premtimet e qeverisë, duke paralajmëruar një reagim të mundshëm të popullit përmes votës në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, këto dështime mund të kenë një impakt të madh në rezultatet e ardhshme zgjedhore.
“Uroj që të ndikojë, sepse premtimet për tema dhe dështimi masiv që është bërë në ato tema ku ka premtuar më së shumti, do të duhej të kishte impakt në elektoratin elektoral, dhe do të duhej të ndiheshin të mashtruar. Faktikisht, ne kemi një situatë të pastër të mashtrimit të qytetarëve deri sa u morën votat dhe u premtoi se do të jetë meritokracia, se nuk do të ketë nepotizëm, se familjarët janë për dasma. Por, në momentin që erdhën në pushtet, ka pasur një rahatimin masiv të familjarëve, strukturës së tyre, njerëzve të tyre, dhe meritokracia është ende e vdekur”, tha Arifi për Expose, prodhim i GazetaBlic.