E, dikush që ndoshta e njeh shumë mirë Albin Kurtin sa ka qenë në opozitë dhe tash në cilësinë e kryeministrit, është Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate, shkruan Gazeta Blic.
Sipas tij, për dy vjet të qeverisjes tash së fundmi edhe me pranimin e planit franko gjerman, ku përmes tij parashihet edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kurti në krye të këtyre dy viteve në pushtet, trajektorja prej 180 shkallëve është mbërri në shpërfytyrim dhe metamorfozë totale.
Ai në emisionin “Expose” vlerëson se as Albin Kurti, e as Lëvizja Vetëvendosje nuk janë ajo Lëvizje e ai Albin Kurti i vitit 2005.
Dhe sipas tij, në ditët në vazhdim do të shihet edhe më shumë shpërfytyrimi i kryeministrit Albin Kurti.
“Unë e mbaj mend në vitet 2006- 2007 duke e bërë gazetën Vetëvendosje, e mbaj mend një prej teksteve të Glaukut duke i korrigjuar, ka qenë dyfytyrësia është pafytyrësi. Nëse sot i sheh në mënyrën qysh VV dëshiron t`i okupoj dy krahët e diskursit dhe krahun konstruktiv, ku del edhe na thotë se i kanë pranuar marrëveshjen dhe në të njëjtën kohë edhe kritikën duke i thirrur njerëzit e vet në protestë, kjo tregon se këta nuk janë rahat sepse nuk e kanë asnjërën e as tjetrën. Ky plani për të qenë konstruktiv nuk ju shkon, sepse është një histori e tërë ndryshe, ndërkohë që plani i kundërshtimit nuk ju shkon se ashiqare po nënshkruajnë dhe kjo u përshtatet më së mirë për ta rikthyer atë shprehjen dyfytyrësia është pafytyrësi”, thotë ai, raporton Gazeta Blic.
Vetëvendosje sipas tij, sot është e tjetërsuar në plotnin e saj.
”Nëse VV ka pas dy gjëra sepse ka pasur shumë me të cilat është marrë, por kanë qenë dy shtylla kryesore – e para aspekti politiko ideologjik në mënyrën se si e ka parë shoqërinë, mënyrën e shpërndarjes së pasurisë ideologjikisht, kjo ka qenë e majta dhe kurrgjë të tillë LVV s`ka, as nëse e shikon si masë që i ka ndërmarrë konkrete as nëse i shikon njerëzit të cilët janë në krye të dikastereve, Ky është aspekti i parë. Aspekti i dytë i tjetërsimi është karshi dialogut dhe çështjes kombëtare, gjithçka që LVV e ka mohuar me ngulm, sot është në pozicion të kundërt është duke i realizuar ato. Tani problemi nuk është pse LVV po ndryshon, sepse nuk është domosdo gabim për ndryshim- diskutimi është pse po e bënë këtë ndryshim dhe cilat janë motivet që po të çojnë drejt ndryshimit. A janë motivet thjesht sepse kanë ndryshuar rrethanat, apo thjesht ndryshimi që po e bënë e ka motiv ruajtën e pushtetit tënd. Rrethanat kanë qenë të njëjta edhe atëherë, Serbia është e njëjta, bashkësia ndërkombëtare që bënë presion është e njëjta”, thotë Hyseni për Expose./ Gazeta Blic