• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Hoti: Ndryshimi i ligjit për pagat është i kundërligjshëm dhe pa logjikë

12/08/2024 21:49
nga:G C

55 euro nga muaji janar, e 55 euro të tjera nga muaji korrik.

Ky ishte premtimi i kryeministrit Albin Kurti për punëtorët e sektorit publik, me 29 tetor të këtij viti.

Ky premtim i tij vjen pak muaj para zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Premtimi ngjalli reagime të shumta të opozitës, sindikatave e shoqërisë civile.

Derisa mazhoranca u krenua me premtimin duke shpërndarë tabelarë se si do të duken pagat me këtë rritje, ajo u kritikua dhe vlerësua si e paligjshme, pasi nuk mund të ndryshohet një ligj me një ligj tjetër.

Të kundërligjshëm e pa logjikë këtë ndryshim të ligjit me njësi e sheh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Po ndalem fillimisht te aspekti ligjor sepse ka pasur keqkuptime dhe keqinformime të qytetarëve lidhur me këtë. Në disa qeveri, edhe unë kur kam qenë kryeministër, me ministrin e financave të atëhershëm kemi punuar në draftimin e ligjit të pagave. Ideja e atij ligji ishte që të vendosej struktura hirearkike e pagave në sektorin publik sipas shtyllave, administratë, arsim, shëndetësi, mbrojtje, polici, etj., të vendosen kufijtë maksimal dhe minimal dhe shkallët e pagave sipas pozitave dhe të përcaktohen me ligj të pagave dhe ai ligj të mbetet i pandryshueshëm ndërsa ligji i buxhetit ta përcaktojë vlerën në euro të koeficientit”, tha Hoti.

“Çka kanë bërë këta, në ligjin e buxhetit kanë bërë gabime, tani që e kanë dërguar në Kuvend, kanë fut një nen në ligjin e buxhetit dhe e kanë ndërruar nivelin e koeficientit, e kanë rritur koeficientin 0.5 njësi, që nuk ka asnjë logjikë, sepse ideja e ligjit të pagave është që ai të mbetet aty, përmes tij të përcaktohet hierarkia e pagave dhe mandej vlerën në euro e përcakton me ligje tjera, këta me ligjin e buxhetit kanë interferuar në një ligj tjetër”, shton ai.

Deputeti kritikon Qeverinë, për të cilën thotë se s’ka orientim të qartë e as logjikë në atë që bën.

“Të gjithë koeficientët rriten me 0.5 njësi. Tash më thuaj mua çfarë logjike ka kjo punë. S’ka asnjë logjikë. Nganjëherë është problem të kuptohet logjika elementare e këtyre njerëzve, nuk kanë asnjë orientim të qartë”.